Samiti i BE-së trajton vaksinimin dhe raportet me SHBA-në e Turqinë

Liderët e Bashkimit Evropian fillojnë sot (25 mars) një samit në të cilin do të diskutojnë për çështjen e vaksinimit kundër COVID-19, si dhe për raportet transatlantike dhe qëndrimin ndaj Turqisë. Bisedimet e liderëve do të mbahen online, ndërsa përmes video-lidhjes do të paraqitet edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Charles Michel, ish-kryeministri belg i cili tani kryeson samitet e BE si president i Këshillit Evropian, ka thënë më herët se ai i kishte kërkuar presidentit Biden t’i bashkohet samitit të enjten në mbrëmje, në mënyrë “që ai t’i ndajë pikëpamjet e tij mbi bashkëpunimin tonë të ardhshëm”.

“Është koha për të rindërtuar aleancën tonë transatlantike”, shkroi Michel në Twitter.

Çështja e vaksinimit

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë për mënyrat e rritjes së furnizimeve me vaksina kundër COVID-19.

Komisioni Evropian do të kërkojë nga udhëheqësit të mbështesin planet për kontrolle të shtuara në eksportet e vaksinave, të cilat mund të ndikojnë në furnizimin me vaksina të Mbretërisë së Bashkuar. Kryeministri britanik Boris Johnson, është shprehur kundër vendosjes së “bllokadave”.

Samiti do të mbahet derisa një valë e tretë e infeksioneve të koronavirusit ka përfshrë pjesën më të madhe të Evropës kontinentale.

Fushata e vaksinimit në Bashkimin Evropian ka qenë më e ngadaltë se ajo në Mbretërinë e Bashkuar. Komisioni Evropian ka fajësuar kompanitë farmaceutike, kryesisht atë AstraZeneca, për mosdhënien e dozave të premtuara vendeve të BE-së.

Sidoqoftë, udhëheqësit janë të ndarë në lidhje me propozimet për kufizime të reja në eksportet e vaksinave jashtë bllokut, të cilat synojnë të rrisin furnizimet brenda BE-së.

Brukseli ka thënë se nga më shumë se 40 milionë doza të eksportuara nga BE-ja gjatë dy muajve të fundit, një e katërta u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një deklaratë të përbashkët të mërkurën, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian thanë se dëshirojnë të “krijojnë një situatë të favorshme dhe të zgjerojnë furnizimin me vaksina për të gjithë”.

“Ne të gjithë po përballemi me të njëjtën pandemi dhe vala e tretë e bën bashkëpunimin midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar edhe më të rëndësishëm”, thuhet më tutje në deklaratë.

Deklarata kishte tone pozitive, megjithatë disa udhëheqës të BE-së së bashku me Komisionin Evropian, do të vazhdojnë të bëjnë presion për kontrolle më të ashpra në eksportet e vaksinave.

Raportet me Turqinë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të shqyrtojnë të enjten mundësinë e stimujve diplomatikë dhe ekonomikë, për të inkurajuar fqinjën strategjike juglindore Turqinë të vazhdojë të përmirësojë lidhjet me BE-në dhe të promovojë stabilitetin.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se blloku dëshiron të rritë “angazhimin me Turqinë në një mënyrë të kushtëzuar”.

BE-ja po bazohet në tonet e zbutura të presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe ka pezulluar planet për vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë.

Marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin, përfshirë Francën dhe Shtetet e Bashkuara, u përshkallëzuan gjatë vitit të kaluar pasi Ankaraja dërgoi anije kërkimi të gazit në Mesdheun Lindor, duke nxitur reagimin e Greqisë dhe Qipros, të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Tensionet janë ulur që kur Turqia rifilloi bisedimet me Greqinë për herë të parë që nga viti 2016.

Brukseli është inkurajuar nga rinisja e bisedimeve me Greqinë dhe nga planet për të rifilluar përpjekjet e paqes të Kombeve të Bashkuara për shtetin e ndarë të BE-së, Qipron.

Por, liderët e BE-së kanë shqetësime të mëdha lidhur me lëvizjet e fundit të Ankarasë për të shuar një parti opozitare dhe largimin që Qeveria e Turqisë bëri nga Konventa e Stambollit, një traktat që synon mbrojtjen e grave nga dhuna. REL