Sami Lushtaku sillet në qendrat e votimit në Skenderaj

Ish- kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku sot pas orës 16:00 është parë ne fshatin e Presidentit Hashim Thaçi, në Burojë të Skenderajt.

 

Ai gjatë ditës ka vizituar dy vendvotime në atë zonë edhe pse jo për të votuar.

Ekipi i KALLXO.com ka pyetur Lushtakun për arsyet e kësaj vizite pasi që i njeti nuk voton në qendrën e votimit në Burojë.

“Dola te miqtë pak, i du fortë. A më ndalohet a?”, ka qenë përgjigja e Lushtakut.

Lushtaku paraditën e sotme ishte parë edhe në shkollën fillore ne fshatin Llaushë të Skenderajt.

“Po, ka qenë këtu në korridor të shkollës pak po nuk ka folë as nuk ka mbajtur naj fjalim”, tha për KALLXO.com Shefqet Geci, menaxher i qendrës së votimit  në Llaushë.

Lushtaku është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetar i së cilës ka qenë edhe tani Presidenti Hashim Thaçi.

Muaj më parë, Lushtaku kishte deklaruar se në PDK ka njerëz të fuqishëm që kontrollojnë sektorët më të rëndëshëm.