Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt. Foto: Kallxo.com

Sami Lushtaku rrëfen për akuzën për ‘kërcënimin’ ndaj gjyqtarit

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka folur për një nga akuzat që kishte rënduar ndaj tij se ka kërcënuar një gjyqtar në një lokal në Prishtinë.

Në intervistën dhënë për “Kallxo Pernime”, Lushtaku thotë se e gjithë situata ka qenë një keqkuptim dhe nuk ka pasur asnjë kërcënim.

“Nuk është e vërtetë që unë e kam kërcënuar gjyqtarin. Ndoshta dikush mundet me pa si kërcënim edhe faktin që jam ardhë sot këtu. Nuk e kam kap për kravatë, nuk është e vërtetë. Aty ka qenë edhe Policia prezente”, tha Lushtaku.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në një lokal që e zotërojnë disa kushërinj të tij.

Lushtaku thotë se ku e ka parë Policinë brenda, ka hyrë për të parë se çka ka ndodhur.

“Unë kam shkuar aty, kam kërkuar sqarime. Kur e kam pa Policinë brenda lokalit, kam hyrë me pyet se çka ka ndodhur. Ka qenë një keqkuptim dhe dikush ka dashtë me u marrë me mua. Bëhet fjalë për një lokal që e kanë mbajtur dy kushërinjtë të mi. Nuk e di cili lokal është saktë, por veç e di që është në shesh. Kur e kam pa Policinë brenda, jam friku që kushërinjtë e mi kanë bërë fjalë me dikë dhe kam hyrë brenda rastësisht. Për këtë nuk jam dënuar”, u shprehë Lushtaku në lidhje më këtë rast.