Sami Lushtaku nuk dënohet për thyerjen e masave anti COVID-19

Komuna e Skenderajt nuk e ka gjobitur PDK-në për mbajtjen e tubimeve në kundërshtim me masat e institucioneve kundër përhapjes së COVID-19.

Komuna që udhëhiqet nga Bekim Jashari në një përgjigje për KALLXO.com është arsyetuar me faktin se kjo është çështje që u përket institucioneve nacionale.

“Të nderuar, duke ju falënderuar për pyetjet, ju informojmë që si Komunë kemi përcjellur situatën aktuale pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe kemi vërejtur që partitë politike, ato që synojnë të udhëheqin institucionet shtetërore kanë mbajtur takime me prezencë masive të qytetarëve, në kundërshtim me masat parandaluese të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës. Marrë parasysh që çështja e mos respektimit të masave parandaluese ndaj pandemisë COVID-19 nga partitë politike është bërë problem nacional, i shprehur në të gjitha komunat e Kosovës dhe  nga të gjitha partitë, institucionet qendrore pas shpalljes së zgjedhjeve është dashur që të rregullojnë këtë çështje dhe kështu tua ndalojnë partive politike mbajtjen e organizimeve të tilla politike”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komunës, edhe kapacitetet e Inspektoratit komunal janë të limtuara.

Ata kanë njoftuar se as qytetarët nuk janë gjobitur për mosrespektim të masave, pasi që sipas tyre, qytetarët po i respektojnë.

“Pra marrë parasysh që problemi është nacional, trajtimi i këtij problemi do të duhej të bëhej nga niveli qendror institucional. Bazuar në situatën e krijuar dhe marrë parasysh faktin që inspektorati jonë komunal ka kapacitete të limituara për të vepruar në këto raste, ju informojmë që inspektorati komunal nuk ka shqiptuar asnjë gjobë për mos respektim të masave anti Covid-19 nga partitë politike. Po ashtu sa i përket shqiptimit të gjobave ndaj qytetarëve ju informojmë se gjatë periudhës të cilës iu keni referuar komuna jonë ka qenë në zonën e gjelbër dhe kështu kemi pasur fatmirësisht respektim të masave parandaluese nga qytetarët e komunës sonë, andaj edhe nuk kemi shqiptuar asnjë gjobë”, vijon përgjigjja.

Më tutje kanë deklaruar se mbesin me shpresë që çështja e organizimeve partiake të rregullohet nga niveli qendror dhe po ashtu të ketë reflektim nga partitë politike që “vendimet e institucioneve shtetërore të mos shkelen të paktën nga ata që janë të thirrur të nxjerrin akte të tilla në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve  të shtetit tonë”.

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku është parë publikisht në këtë komunë duke mbledhur qindra njerëz në tubime të para fushatës.

Ndërkohe që partitë politike janë gjobitur për mosrespektim të masave anti pandemisë nga ana e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës.

Sipas masave të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Ndërkohë, Policia vazhdon të gjobisë qytetarët për mosmbajtje të maskës apo për shkelje të tjera të parapara me Ligjin COVID-19.