Foto: Sami Lushtaku - Facebook

Sami Lushtaku mobilizon PDK-në e Skenderajt për zgjedhje

Kryetari i Degës së PDK-së në komunën e Skenderajt, Sami Lushtaku, dy ditë më parë ka nisur mobilizimin për zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndonëse data e tyre nuk është shpallur ende.

Lushtaku përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka mbledhur në takim, Këshillin Drejtues të Degës së PDK-së në Skenderaj.

“Sot në takim me Këshillin Drejtues të degës së PDK-së në Skenderaj, diskutuam për organizimin dhe funksionalizimin e shtabeve zgjedhore në nivel të degës dhe nëndegëve. PDK në Skenderaj është e gatshme për fitore”, ka shkruar ai me 15 gusht.

Lushtaku kishte refuzuar kërkesën e të parit të PDK-së, Kadri Veseli që të lirohen nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët me aktakzua.

Lushtaku kishtge thënë se njerëzit e PDK-së e kontrollojnë drejtësinë.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë”, kishte shkruar Lushtaku në Facebook.

Vendi pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeminstrit Ramush Haradinaj para një muaji.

Ndërkaq, liderët e partive politike tashmë kanë nisur fushatat parazgjedhore.

 

Denoncimi i Sami Lushtakut: Njerëzit e PDK e kontrollojnë drejtësinë