Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sami Lushtaku merr pozitën e nënkryetarit të Komunës së Skenderajt

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj, Sami Lushtaku, pritet të bëhet nënkryetar i Komunës së Skenderajt.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari në ardhje i Skenderajt, Fadil Nura.

“Po, Sami Lushtaku do të bëhet nënkryetar. Këtë ua kemi thënë edhe elektoratit në fushatë”, deklaroi ai.

Nura u shpreh i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë e përfaqësuara në Asamble.

Ndërkaq i pyetur nëse deri më tani kanë vendosur edhe emrat për drejtori, ai njoftoi se janë në proces dhe po planifikon të zvogëlojë numrin e drejtorive.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, Fadil Nura i PDK-së mposhti kryetarin në largim, Bekim Jasharin.

PDK fillimisht kishte vendosur për kandidat për kryetar Sami Lushtakun, por atij iu ndalua për shkak që dy muaj para zgjedhjeve lokale iu konfirmua një dënim nga Gjykata Supreme.

Nura mundi Listën e Pavarur të Bekim Jasharit me 57,99%, ndërsa ky i fundit arriti 40,64%.

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’