Sami Lushtaku me PDK-në vazhdojnë shkeljen e masave anti-COVID, kësaj here në Burojë

Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka vazhduar shkeljen e masave anti COVID-19, gjatë fushatës së tij për PDK-në, për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Kësaj here Lushtaku ka mbledhur dhjetëra persona në një ambient të mbyllur, në fshatin Burojë të Skenderajt.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Lushtaku ka shkruar se në vendlindjen e ish-presidentit Thaçi kanë marrë zemër e përkrahje.

“Në Burojën e Presidentit Hashim Thaçit, morëm zemër e përkrahje nga bashkëqytetarët tanë, për të rrugëtuar drejt fitores me 14 shkurt. Uniteti e përkrahja nga të gjithë qytetarët drenicas është e jashtëzakonshme. Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë në zemrat e mendjet e secilit prej tyre”, ka shkruar Lushtaku.

Sot gjatë ditës po ashtu në një lokal në Skenderaj u publikuan fotografi ku shiheshin qindra persona të mbledhur, bashkë me zyrtarë të lartë të PDK-së.

Në anën tjetër, sipas masave të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Ndërkohë, Policia vazhdon të gjobisë qytetarët për mosmbajtje të maskës apo për shkelje të tjera të parapara me Ligjin COVID-19.

Shkelje drastike e masave anti COVID-19 nga PDK në krye me Enver Hoxhajn