Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Sami Lushtaku mbrohet sot në gjykatë për rastin "Ikja nga QKUK-ja"

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku do të paraqitet sot në gjykatë për tu mbrojtur ndaj akuzave për arratisjen nga QKUK-ja.

Në këtë process janë të akuzuar  Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha.

Lushtaku, Haxha dhe Jashari, sipas aktakuzës,ishin arratisur nga Burgu i Dubravës për mos t’u transferuar në qendrën e paraburgimit në veriun e Mitrovicës.

Aktakuza përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.