Arkiv - Sami Lushtaku. Foto: Kallxo.com

Sami Lushtaku lihet jashtë listës së PDK-së për deputet

Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar sonte listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Më shumë se gjysma e kandidatëve janë emra të rinj.

Por, ajo që bie në sy është mungesa e Sami Lushtakut. Megjithatë, në listë është i biri i tij, Mërgimi.

Muaj më parë, kryetari i PDK-së mori vendim për shkarkimin e të gjithë zyrtarëve të partisë me aktakuza, nga pozitat në institucione por edhe në poste drejtuese partiake.

Ndonëse nuk u tha asnjëherë, kjo “fshesë” e kapte edhe kryetarin aktual të degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku,  ndaj të cilit rëndojnë tre aktakuza.

Lushtaku megjithatë nuk e lëshoi pozitën.

Madje, ai akuzoi krerët e partisë së tij se kontrollojnë çdo segment në shoqërinë kosovare.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë”, kishte shkruar Lushtaku në Facebook.