Sami Lushtaku flet për fotografinë me Currin, të dyshuarin për fajde milionëshe dhe mashtrim

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku në një intervistë përballë Jeta Xharrës mbrëmë ka diskutuar një fotografi të tij me me të dyshuarin për fajde.

Ai u pyet për fotografimin e tij krah për krah me Ismet Osmanin i njohur ndryshe si “Curri”.

Në pyetjen se me çka merret Curri, Lushtaku tha se për këtë çështje duhet pyetur vet Currin ndërsa në lidhje me fotografinë me të deklaroi se del në fotografi me njerëz dhe nuk ik.

“Unë dal në fotografi, nuk ju iki njerëzve. Secili duhet të ballafaqohet me problemet e veta”, tha shkurt Lushtaku.

Ismet Osmani i njohur si Curri ishte arrestuar në maj të vitit 2019 pasi dyshohet se së bashku  me disa perosna të tjerë kishte përfituar miliona euro përmes fajdeve dhe mashtrimit.

Bashkë me Currin dyshohet se ishin të përfshirë edhe Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Rrahim Hashini.

Sipas dosjes së prokurorisë gjithçka kishte filluar në qershor të vitit 2012 kur dy të dyshuarit  Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut, fajde në vlerë prej 350 mijë euro.

Për këto 350 mijë euro Faton Dalladaku ishte ngarkuar me kamatë mujore 25 mijë euro në muaj ndërsa për të siguruar kthimin e plotë të borxhit të dyshuarit kishin lidhur kontratë për shitblerjen e shtëpisë në lagjen Pejton ku I dyshuari Sami Nika ishte evidentuar si pronar i saj.

Sipas Prokurorisë përshirja e Ismet Osamnit në lidhje me këtë çështje fillon në vitin 2013 kur ai bashkë me Sami Nikën dhe Ilir Bojkun blejnë një tokë 3 hektarëshe në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në vlerë 600 mijë euro.

Për ketë tokë ata ia kishin paguar 250 mijë euro pronarit S.P., ndërsa pjesën tjetër të mbetur prej 350 mijë eurove e kishin ngarkuar të dëmtuarin Faton Dalladaku, të paguante në emër të fajdesë duke vazhduar t’ia mbanin shtëpinë në posedim sipas kontratës.

Sipas Prokurorisë, Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku, e kishin kërcënuar Faton Dalladakun dhe i kishin shkuar në shtëpi dhe ia kishin marrë çelësin e shtëpisë në momentin kur ky i fundit kishte dështuar t’ua kthente 350 mijë eurot e marra në fillim.

Në dosje të prokurorisë thuhet se fajdeja prej 350 mijë euro i kishte hipur Faton Dalladakut në 700 mijë euro dhe për pagesën e tyre e detyruar që t’ua japë një pronë 3 hektarëshe e cila kishte vlerë rreth 900 mijë euro në këmbim të borxhit.

Sipas Prokurorisë, edhe pse ia kishin marrë pronën me vlerë 900 mijë euro për 700 mijë euro borxh, ata nuk ia kishin kthyer shtëpinë në Pejton të cilën në vitin 2017, Sami Nika ia kishte shitur Adil Thaqit.

Përpos njohjes dhe fotografimit me Ismet Osmanin, Sami Lushtaku u pyet edhe për fotografimin me Tunë Kqiren një tjetër i dyshuar për fajde.

Lushtaku ka treguar se me Tunë Kqirajn ka qëndruar gjatë kohës sa ka qenë në burg madje ai e ka quajtur Tunë Kqirajn ma burrë se ata që flasin për të.

“Me Tunë Kqirajn kam qenë në burg. Kam pi kafe e kam hëngër darkë, bile ma burrë është Tuna sesa disa që po flasin për të”, tha Lushtaku.

Intervistën e plotë të gazetares Jeta Xharra me ish kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku mund ta ndiqni më poshtë.