Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sami Lushtaku deklaron vetëm dy toka dhe shitjen e shtëpisë

Sami Lushtaku si nënkryetar i Komunës së Skenderajt që nga fundi i vitit të kaluar, ka deklaruar vetëm dy pasuri të paluajtshme.

Dy toka i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Sipas deklarimit, njëra tokë është 500,000 m2 nga viti 2006 me vlerë 500 mijë euro. Dhe tjetra, me sipërfaqe 30,000 m2.

Numri dy i Komunës së Skenderajt, këtë tokë e ka vlerësuar me 90,000 euro. Të dy këto toka janë në emër të tij.

Në deklarimin e tij, është sqaruar se ka bërë kontratë për shitjen e shtëpisë me vlerë 250,000 euro, e që janë ende të papaguara.

Burimi: AKK

Të gjitha rubrikat tjera të zbrasta. Lushtaku nuk ka deklaruar asnjë nga pasuria e luajtshme e as nëse mbanë para në banka.

Sami Lushtaku ka deklaruar se merr dy rroga.

Paga e tij mujore si nënkryetar i Skenderajt është 815 euro. Ndërkaq pensionin invalidor ka deklaruar 3,600 të ardhura vjetore.

Burimi: AKK

Sami Lushtaku në një intervistë për #KALLXOPernime në janar të vitit 2021 ka treguar për pasurinë që e kanë pasur para luftës dhe pasurinë që e kanë krijuar pas luftës.

“Unë para luftës i kam pasë 3 shpia. I kemi pasë dy lokale tona. Një lokal në Skenderaj dhe një market në fshat. I kena pasë edhe dy kerre”, tha Lushtaku.

“Mas luftës, unë kam një shtëpi në Skenderaj. E kemi privatizu me një shok temin një lokal në Skenderaj që ka kushtu diku 65 mijë euro. E kam privatizu shumë herët. Nuk e di sa metra lokali ka qenë. Unë kam hy në kredi me marrë. Kur jam kanë unë në burg, jemi detyruar me shit lokalin. Nuk e di sa e kemi shitë”, tha Lushtaku.

Ai ka treguar edhe për privatizimin e 50 hektarëve tokë në fshatin Komoran të Drenasit.

“E kam një tokë 50 hektar që e kam përgjysmë me një mik, në Komoran. Tani e kam shit shtëpinë në Skenderaj. Vitin kur e kam ble tokën nuk e di. E kam ble me privatizim. E kemi privatizu diku 200 e diçka mijë euro, sa ka kushtu ari nuk e di. Jemi hy në kredi për me ble. Ma kanë dhanë kredinë 200 mijë euro”, rrëfen Lushtaku për pasurinë e tij.

Ajo tokë që Lushtaku e kishte privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte shpronësuar disa vite më vonë për ndërtimin e autostradës. Madje me çmim shumë herë më të shtrenjtë.

“Toka është afër autostradës. Një pjese e tokës është shpronësuar. Diku rreth 50 euro arin e kemi ble. Kur është shpronësuar, nuk e di saktë, po diku 5, 6 ose 7 mijë euro ka qenë çmimi”, tha Lushtaku.

“Kjo është pasuria e Sami Lushtakut, nëse del që kam pasuri tjetër unë jap përgjegjësi morale e penale”, kishte tutje ai.