Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Sami Lushtaku akuzohet për kërcënim të avokatit me fjalët "ku je se pa ardhë me t'kall nuk kam me e lanë"

Tre persona duke përfshirë ish-Kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku po akuzohen lidhur me rastin e sulmit ndaj avokatit Gazmend Halilaj më 14 prill.

Prokuroria e Prishtinës, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut, Ibrahimit Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit.

Lajmin për KALLXO,com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Aktakuza e siguruar nga KALLXO.com përmban 4 pika për veprat penale të tentim vrasjes së rëndë, armëmbajtje pa leje, kanosjes dhe asgjësimit të pasurisë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në Facebook kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku që Samiun  e ka kushëri, me qëllim të hakmarrjes ndaj  Halilit së bashku me Xhelal Zeqirin më  14 prill rreth orës   15 e 50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

I akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “ Nisan Qashai”  e ka goditur me  veturën  të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas prokurorisë pasi Halilaj është goditur nga vetura e e të akuzurit Lushtaku,  ka dalë nga vetura e tij  dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit, në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal duke kryer kështu veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Ndërsa  Sami Lushtaku po akuzohet se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove  në kohën e luftës, e ka thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur ka kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime, ku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri, po akuzohet se nga data e panjohur e deri më  22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur  pistoletat e tipit “Ekol” të kalibriyt 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x 19 mm.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ndaj Ibrahim Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit të vazhdojë paraburgimin.

Gjithashtu  ka kërkua nga gjykata  që vetura e markës “Mistubishi” dhe pistoletat e tipit “ Ekol” dhe “Crvena Zasatava” të konfiskohen.