Sami Kurteshi: Votat nga jashtë të verifikohen secila veç e veç

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mospajtimet e kundërshtimet u lidhën kryesisht rreth votave të ardhura nga mërgata dhe numrit të lartë të refuzimit të tyre.

Sami Kurteshi anëtarë i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, kërkoi kujdes të shtuar në trajtimin e votave të mërgatës. Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se gjithçka po ecën mbarë dhe nuk është mirë të bëhet presion nga KQZ.

Ahmetaj, tha se Qendra e Numërimit të Rezultateve (QNR), deri tash i ka përfunduar të gjitha aktivitetet me procesimin e materialeve zgjedhore në mënyrë të rregullt.

Ai tha se është bërë edhe regjistrimi i gjithë votuesve me kusht.

“Problemet më të mëdha janë formularët e kandidatëve. Nga auditimi është bërë klasifikimi i mospërputhjes së formularëve dhe rezultateve”, tha Ahmetaj.

Ai ka dhënë katër rekomandime para KQZ-së për rinumërimin e 494 vendvotimeve.

Sipas tij arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me pasojat që kanë prodhuar, bartja e gabuar e votave në formularin e subjekteve politike ku janë 35 vendvotime, bartja e gabuar e votave në formularin e kandidatëve 6 vendvotime, kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik 370 vendvotime, dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët, jo dhe anasjelltas 83 vendvotime.

“Janë këto 4 rekomandimet që i kemi sjell para komisionit”, tha ai.

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendose tha se procedimi i votave nga jashtë duhet të verifikohen secila veç e veç për të parë se cilat janë arsyet e refuzimit të tyre.

“Për këtë KQZ-ja duhet ta krijoj një komision që vlerëson arsyet D1, D2, D3, D4, D5 dhe D6. Unë e kam parë edhe një kuti me D7. Ka raste kur personat kanë aplikuar e dalin që nuk kanë aplikuar, ka raste kur aplikacioni është refuzuar e nuk është refuzuar. Kjo çështje lë dilema. Çështja e votave nga jashtë mërgatës është përcjell me probleme të mëdha”, tha ai.

Me D1, D2, D3 e kështu me radhë, janë emëruar kutitë e votimit për votat e mërgatës që janë. Secila kuti ka arsyen e vet të refuzimit. Në kutitë e shënjuara me D1, mblidhen votat që kanë arsyet e njëjta për çka janë refuzuar fletëvotimet. Njëjtë veprohet edhe me kutitë që kanë shënjimin D2, D3 e kështu me radhë.

Kurteshi tha se në QNR janë duke u shkel afatet dhe nuk janë angazhuar gjitha kapacitetet. Këtë, Ahmetaj e ka konsideruar presion, duke kërkuar që mos të bëhet trusni për pjesën operacionale.

“Kisha pas qejf që KQZ mos të bëjë trusni për pjesën operacionale”, tha ai.

Kurtishi tha se nuk po bëhet presion, por kërkoi të dijë se pse nuk po bëhen veprimet konkrete.

“Jemi në pritje të 494 vendvotimeve që kanë do rinumërohen dhe nuk qëndron pretendimi se QNR rri kot kur votat janë procesuar në kohë dhe nuk kemi shkelje të afateve”, tha Ahmetaj.