Sallahu: Nëse Gjykata Supreme nuk vendos në favor të VV-së do të drejtohemi në Gjykatën Kushtetuese

Blerim Sallahu, përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar para pak minutave në Gjykatën Supreme ankesën kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me moscertifikiim e pesë kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sallahu ka dhënë detaje para mediave rreth kësaj ankese duke e quajtur vendimin e PZAP-së vendim pa bazë kushtetuese.

“Sot Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së në lidhje me çertifikimin e pesë kandidatëve për deputet. Ne kemi kundërshtuar vendimin e PZAP-së në lidhje me atë që një normë ligjore e vë si kriter kushtetues pra PZAP deklaron pa asnjë bazë kushtetuese që neni 29, paragrafi 1, pika Q, është normë kushtetuese”, ka thënë Sallahu.

Ai tutje ka thënë se amendamentet kushtetuese bëhen në Kuvendin e Kosovës dhe pas PZAP-së as Gjykata Kushtetuese nuk mund të vë si normë kushtetuese një kriter ligjor për shkak se amandametimi bëhet vetëm prej kuvendit.

“Mbi bazën e kësaj ne kemi kundërshtuar një gjë të tillë. E dyta pretendim i joni është në lidhje me atë se PZAP në kundërshtim me doktrinat juridike ka cilësuar se lek specialist është ligji i zgjedhjeve, në kemi theksuar se kodi penal, neni 440, paragrafi 4 thekson qartë se dispozitat e kodit penal lidhur me veprat dhe ndëshkimet i mbivendosen çdo ligji dhe çdo akti nënligjor”, ka thënë Sallahu.

Sipas tij, në bazën e kësaj janë shqiptuar dënime alternative për kandidatët e LVV-së, dhe kjo nuk paraqet asnjë pasojë juridike, duke shpresuar se deputetet do të çertifikohen nga Gjykata Supreme, duke shpresuar poashtu në profesionalizmin që ka Gjykata Supreme.

Sallahu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka prova dhe argumente ligjore të bollshme për të argumentuar qartë dhe për të nxjerr vendim në favor të lëvizjes vetëvendosje.

“Gjykata supreme do të merr vendim në favor të Lëvizjes Vetëvendosje pasi që ka argumente të qëndrueshme për të rrëzuar një vendim antikushtetues. Nëse ndodhë e kundërta jemi në dy rrafshe, në rrafshin politik ku organet e LVV-së do të vendosin më tutje dhe patjetër se do ti drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e një vendimi të tillë”, u shpreh Sallahu.

KALLXO.com ka transmetuar live konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deri të martën do të duhet të marrin epilog ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve që janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Nëntë apele nga subjekte politike e kandidatë, u dorëzuan më 23 janar, pas moscertifikimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e 22 janarit, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“PZAP-ja në afat prej 72 orëve prej momentit të pranimit të këtyre apeleve ka për obligim dhe do t’i shqyrtojë dhe vendos për to”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.

Por, ky insititucion i pavarur, mund të vendosë edhe më herët në apelet që janë dorëzuar brenda afatit ligjor.

“PZAP-ja do të angazhohet me gjithë kapacitetin për t’i kryer sa më shpejt që është e mundur edhe para skadimit të afatit prej 72 orëve. Vendimet mund të merren në të njëjtën ditë apo edhe në ditë të ndryshme para skadimit të afatit prej 72 orëve”, sqaroi Desku.

Më 3 janar 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 20 janar tha se ai do të jetë “bartës liste”, pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i kishte dërguar KQZ-së, listën prej 47 kandidatësh, bashkë me emrin e tij, të cilët sipas këtij institucioni nuk mund të jenë pjesë e garës zgjedhore.

“Unë jam bartës liste, i cili i respekton dhe i përfill me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, pati deklaruar Kurti.

Më 22 janar, në një mbledhje të tensionuar, KQZ-ja me shumicë votash, nuk certifikoi listat zgjedhore të subjekteve politike: Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pasi këto parti nuk i kishin zëvendësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte thënë se nuk janë në përputhje Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.