Blerim Sallahu, zëvendës ministër i drejtësisë, Foto:KALLXO.com

Sallahu: Deri më tani nuk kemi ndonjë fakt se ndonjë gjyqtar ka bërë gabim të qëllimshëm

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë fakt se gjyqtarët kanë bërë ndonjë gabim të qëllimshëm gjatë gjykimeve.

“Nëse kemi një koordinim më të mirë të KGJK-së dhe KPK-së në drejtim të vlerësimit të përformancës dhe ekzekutimit të procedurave disiplinore ndaj gjyqtarëve të cilët kanë shkelur gjatë detyrës punën e vetë, atëherë do të ketë edhe efikasitet edhe efektivitet”, ka deklaruar Sallahu.

Këtë ai e ka thënë në emisionin #KallxoPërnime, ku po trajtohet ‘Mosarsyetimi/harmonizimi i vendimeve gjyqësore’ në Kosovë.

Gjatë debatit është diskutuar për vendimet gjyqësore në të cilat mund të hasen gabime.

Për të njejtën çështje Burim Ademi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit është shprehur se më e arsyeshme do të ishte një masë dërgimi në një program në kuadër të akademisë, që të në ardhmen gjyqtari të mos bëj gabime.

“Kur konstatohet një veprim që është  e mundur gjithnjë brenda një procesi gjyqësor me ndodhë ndonjë gabim, atëherë Gjykata Supreme mund të konstatojë që ligji është zbatu gabimisht dhe është zbatu në favorë të një të akuzuari”, ka thënë Ademi.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka thënë se sipas kushtetutës së Kosovës është e rregulluar çështka e vendimmarrjes së gjyqtarëve.

“Këto çështje organet e tjera të ndjekjes ndoshta ish dashtë me i verifiku nëse ka pas lëshime të qëllimshme nga ana e bartësve të funksioneve në anën tjetër ndodhin këto situata jo vetëm tek ne, por ndodhin çdokund”, ka theksuar Peci.