Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Salla ku po bëhej vaksinimi në Prizren mbetet pa energji elektrike, dëmtohen kabllot nëntokësore

Salla e vaksinimit “Rexhai Surroi” në Prizren ka mbetur pa energji elektrike.

KEDS njofton se në këtë sallë ku po bëhet vaksinimi i popullatës është ndalur energjia elektrike si pasojë e dëmtimit të kabllove nëntokësore nga një kontraktor i Komunës së Prizrenit.

“KEDS kërkon nga të gjitha palët pune kryese të jenë më të përgjegjshëm, të marrin hartat paraprakisht të shtrirjes së rrjetit nëntokësor aty ku intervenojnë në infrastrukturë, sidomos në qytete, pasi kjo po afekton qytetarët”, thuhet në njoftimin e KEDS në rrjetin social Facebook.

Sipas kompanisë së energjisë elektrike, paraqitja e këtyre rasteve është e papranueshme, sepse si pasojë e kësaj është penguar vaksinimi i popullatës.

“Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, e kanë hapur gropën dhe janë duke e sanuar problemin”, thuhet më tutje.

KEDS kërkon nga të gjitha institucionet që të bëjnë mbikëqyrje ndaj kontraktorëve të tyre që të mos ndodhin më këto raste.

“Energjia elektrike do t’i kthehet qendrës në kohën më të shkurtër të mundshme”, njofton KEDS.

Ndryshe vetëm ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 1.128 raste me virus dhe brenda 24 orëve janë vaksinuar mbi 19 mijë persona në Kosovë.