Salihu: Pronat asnjëherë nuk kanë qenë të Komunës së Gjilanit, pasi Komuna nuk posedon certifikatë të pronës

Bekim Salihu, drejtor për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjilanit ka komentuar vendimin e Qeverisë për heqjen nga procesi i privatizimit të disa pronave komunale dhe kthimin e tyre nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, vendim ky që parasheh edhe kthimin e disa pronave të Gjilanit.

Salihu tha se këto prona asnjëherë nuk kanë qenë të Komunës, pasi Komuna nuk posedon certifikatë të pronës.

Me vendimin e vitit 2018 të Qeverisë Haradinaj disa nga këto prona në Gjilan parashihej të dedikoheshin për varreza.

Drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë tha se tashmë janë duke shikuar disa prona të tjera komunale për këtë çështje.

“Realisht asnjëherë nuk i është ndërru titulli këtyre pronave në kadastër. Për t’u ndërruar titullari duhet të ndiqen të gjitha procedurat dhe këto procedura kanë ngecur në Ministrinë e Financave. Problemi ka qenë se pronat asnjëherë nuk janë regjistru si prona komunale. Këto figurojnë se administrohen nga Kombinati Bujqësor, pra AKP. Përderisa nuk e ke certifikatën e pronës që tregon se Komuna është poseduesi, Komuna nuk planifikon me ndërtu. Nuk na kanë marrë neve, ajo pronë nuk u kanë kurrë e jona. Procedura nuk kanë shkuar asnjëherë deri në fund”, tha ai.

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për qeverisjen e pronave komunale dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për pronat komunale.

Të ftuar në emision janë Besim Myrtezani nga Ministria e Pushtetit Lokal, Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit, Bekim Salihu nga Instituti GAP, Bekim Salihu nga Komuna e Gjilanit dhe Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës.