Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Salihu: "Parku i aventurave" synon të bëhet në zonën më të mbrojtur të Gërmisë

Krenare Salihu nga Organizata Botërore për Mbrojtjen e Natyrës (WWF), në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se projekti i “Parkut të aventurave” në Gërmi, synon të bëhet në zonën më të mbrojtur të Parkut të Gërmisë.

Ajo ka thënë se fillimisht projekti u është paraqitur organizatave të shoqërisë civile se do të ndërtohet në zonën e dytë të mbrojtjes, por në fakt ka qenë në zonën e parë.

“Përveç faktit që neve na u ka paraqitur si zonë e dytë e mbrojtjes, në draft-planin menaxhues që ende nuk është i finalizuar, pasi po pritet dëgjimi publik, ne e kemi parë se është zonë e parë e mbrojtjes, çka për ne është shumë shqetësuese”, ka thënë Salihu.

“Definicioni i zonës së parë të mbrojtjes, është mbrojtje e rreptë, strikte dhe përmendet që te pyjet e ahut, të cilat duhet të jenë patjetër të mbrojtur, duke pasur parasysh florën dhe faunën që është në atë pjesë”, tha ajo.

Tutje, ajo ka thënë se shqetësimi kryesor ka qenë se pse duhet të ndërtohet në zonën e parë të mbrojtjes, e jo në ndonjë zonë tjetër.

“Në vendin ku është planifikuar lokacioni, atë ditë kur unë kam qenë pjesë e takimit, pyetja ime ka qenë pse duhet me qenë ahu, edhe i kam parë disa drunjë që kanë qenë të shënjezuara. Aty kemi drunj ahu që janë ndoshta 100 vjet. Pyjet e ahut në moshën mbi 100 vjeçare, fillojnë me humb vitalitetin”, ka thënë Salihu.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për projektin e Komunës së Prishtinës “Parku i aventurave’.

Ky projekt synon të ndërtohet në Parkun e Gërmisë.

Të ftuar në këtë debat janë Flutra Zymi nga organizata “Qytetarët Aktivë”, Sami Behrami nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, Fitore Bajraktari nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike dhe Krenare Salihu nga WWF.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.