Krenare Salihu, WWF

Salihu: Në Kosovë inxhinierët e pyjeve mund të numërohen në gishta, kushtet e punës i kanë minimale

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për mbrojtjen e ambientit në vend.

Krenare Salihu, drejtoreshë e Organizatës për mbrojtjen e natyrës (WWH) në Kosovë tha se Agjencia e Pyjeve ka mungesë të theksuar të inxhinierëve pyjorë.

Sipas Salihut, inxhinierët pyjorë mund të numërohen në gishta. Po ashtu, ajo  theksoi se kushtet e punëtorëve në Agjencinë e Pyjeve janë minimale.

Drejtoresha e WWH tha se punëtorët e terrenit të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës nuk kanë veshje e as mbathje të duhura për punë.

“Në kuadër të Agjencionit Pyjor të Kosovës inxhinierë të pyjeve mund të numërohen në gishta. Ata janë shumë pak. Pak por edhe kushtet e punës i kanë minimale… Punëtorët nuk i kanë veshjet e terrenit, mbathje të terrenit, makineritë, rrezikshmëria nuk u paguhet” – tha Salihu.

Ajo u shpreh e shqetësuar edhe për gjendjen e zyrave të kësaj Agjencie.

“Zyrat janë të mjerueshme. Ato vazhdojnë të jenë me azbest” – tha ajo.

Krenare Salihu tha se 80% e prerjeve të pyjeve në Kosovë janë ilegale.