Salihu: 15 komuna në Kosovë nuk kanë asnjë pronë komunale

Bekim Salihu nga Instituti GAP e ka quajtur të habitshëm vendimin e ekzekutivit për heqjen nga procesi i privatizimit të disa pronave komunale dhe kthimit të tyre nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Salihu në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tha se një vendim i tillë është i panevojshëm dhe i dëmshëm.

“Vendimi i Qeverisë është pak i habitshëm dhe i panevojshëm e i dëmshëm deri në një masë. Komunat kanë nevojë të kenë pronë. Nuk ka ndonjë informatë që komunat i kanë dediku pronat që i kanë marrë në vitin 2018 për ndonjë biznes apo diçka të tillë. Është rasti i Ferizajt, ku janë ndërtuar dy shkolla pikërisht në këso prona që janë kontestuese tash dhe ato janë blloku. Arsyetimi i vendimit është i pambështetshëm dhe i paarsyeshëm, nëse thuhet se është parandalu korrupsioni, mbi çfarë fakte po thuhet kjo, nëse thuhet se është vendosur ligjshmëria, mbi çfarë argumente e ka bazu Qeveria këtë?”, tha Salihu.

Ai theksoi se komunat kanë nevojë për pronë komunale ndërsa shtoi se 15 nga 38 komunat në Kosovë nuk kanë pronë të tyre.

“Nuk ka pasur vlerësim për këtë vendim. Sipas të dhënave, 15 nga 38 komunat në Kosova nuk kanë asnjë pronë komunale. Komunat kanë shumë nevojë për këto prona. Qeveria nuk ka ofru asnjë fakt për këtë vendim, përveç përshtypjeve që ka krijuar”, tha Salihu.

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për qeverisjen e pronave komunale dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për pronat komunale.

Të ftuar në emision janë Besim Myrtezani nga Ministria e Pushtetit Lokal, Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit, Bekim Salihu nga Instituti GAP, Bekim Salihu nga Komuna e Gjilanit dhe Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës.