Salih Mustafa - Komandant Cali, të hënën del par Gjyatës Speciale

Të hënën, më 28 shtator në orën 15:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës.

Këtë e ka konfirmuar përmes një komunikate për media Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë.

Tutje thuhet se aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.

Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gjithashtu, DHSK-ja ka një qendër të posaçme për median nga e cila gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.