Sali Berisha - Foto: Facebook / Sali Berisha
Sali Berisha thotë se duhet të nënshkruhet marrëveshja me asociacion kushtetues
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka shprehur mendimin e tij lidhur me propozimin evropian për Kosovën dhe Serbinë duke thënë se duhet të punohet për zhdukjen e pengesave ekzistuese për nënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit të saj.
Berisha tha se Kosova duhet të nënshkruajë asociacionin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Por, sipas tij presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kërkon një asocacion etnonacionalist supra-kushtetues që de-facto dhe de-jure garanton shtrirjen e shtetit serb në Kosovë, shtrirjen e serbomadhisë në rajon. E sipas tij, Serbia duhet të heqë dorë nga kjo lloj kërkese, të cilën ai e sheh si rrezik për tërë rajonin.
“Ndaj dhe heqja dorë nga Beogradi nga kërkesa për një asociacion mbikushtetues në Kosovë është rruga e vetme për të arritur firmosjen dhe jetësimin e planit franko – gjerman i cili duket se gëzon mbështetje të plotë nga të dy vendet si një marrëveshje win-win dhe qe mbështet nga BE, SHBA dhe rajoni” – tha Berisha.
Ai konsideroi pozitive që pas takimit të krerëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel më 27 shkurt, pati vetëm akuza të buta midis palëve dhe tonet ishin të qeta.