Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sakip Imeri për rritjen e çmimit të bukës: Nuk ka institucion që përcakton sa duhet rritur çmimi

Në emisionin e sotëm në “KALLXO Përnime” po diskutohet për rritjen e çmimeve, përfshirë këtu edhe atë të bukës, e cila është rritur për 10 centë në Kosovë.

Krahas kësaj, Sakip Imeri nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) thotë se nuk ka institucion që e përcakton në ekonominë e tregut se sa duhet rritur çmimet.

“Të çmimi i bukës, ne jemi duke analizuar dhe të kryejmë një hulumtim në tregun e produkteve ushqimore, në mesin e tyre edhe buka. Është pak indikative, se çmimet e shitjes me shumicë nuk janë me të njëjtin ritëm të ngritjes qysh është ngritja e çmimeve me pakicë. Dhe kjo është si pasojë ndoshta edhe e aspektit  psikologjik të inflacionit 5.7 për qind në raport me vitin e kaluar. Për ta ruajtur substancën e tyre, prodhuesit dhe shitësit tentojnë që këtë me përkthy me çmime më të larta”, u shpreh Imeri.

“Është ngritje e çmimeve që nuk është në domenin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës kjo çështje dhe e vlerës se sa duhet rritur. Nuk ka institucion që e përcakton në ekonominë e tregut se sa duhet rritur çmimet. Përderisa nuk kemi indikatorë se sa duhet rritur çmimet e vetmja masë është oferta dhe kërkesa që e përcakton ose e rregullon çmimet në treg”, tha ai.

Imeri tutje shtoi se përgjegjësi e AKK-së është që të mos lejojnë që të ketë dakordim mes bizneseve që të ketë ngritje të çmimit.

“Analiza ekonomike bëjmë në këtë drejtim, por në ekonomitë e tregut, që bazohen mbi konkurrencën e lirë, nuk ka. Pastaj është përgjegjësi e Autoriteti mos të ketë ngritje të çmimit, mos ka marrëveshje ose koordinim të kompanive për ngritjen e çmimeve sepse kjo është e ndaluar në bazë të Ligjit të konkurrencës, përveç rregullatorëve që janë për monopole natyrale, energjia, uji, ka rregullatorë, përndryshe rregullimin e çmimeve e bënë oferta dhe kërkesa. Dhe përderisa zgjidhet produkti me çmime te ndryshme ajo është një indikacion që nuk ka koordinim të kompanive se të një industrive të ndryshme për rritje të çmimeve”, u shpreh ai.

Në “KALLXO Përnime” sonte po diskutohet për rritjen e çmimeve. Të ftuar në emision janë Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, Sakip Imeri nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor.