Sajti i ri thekson rolin e Serbisë në luftërat e viteve 1990

Faqja e re e internetit e OJQ-së Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, dega e Serbisë, ofron informacione mbi varret masive, kampet e paraburgimit, përndjekjen, mobilizimin e detyruar dhe njësitë paraushtarake në përpjekje për të luftuar heshtjen për rolin e vendit në krimet e luftës.

 

Dega e Beogradit e OJQ-së Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut prezantoi të hënën një faqe të re interneti me emrin “Rat u Srbiji” (Lufta në Serbi) për të theksuar përfshirjen e vendit në luftërat që shpërthyen kur u shpërbë Jugosllavia në vitet 1990, raporton Balkan Insight.

Faqja përmban informacione për varret masive të fshehura, kampet e paraburgimit, përndjekjen e pakicave etnike, mobilizimin e detyruar të civilëve, krimet e kryera nga njësitë paraushtarake në konfliktet në Ballkan dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë një revolte në jug të Serbisë.

Ajo ka gjithashtu një hartë të vendeve të rëndësishme që lidhen me luftën, duke shënuar vendet e kampeve të burgimit dhe të protestave kundër mobilizimit.

Drejtori i programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi Ivan Gjuriq tha se në këtë faqe interneti nuk ka pothuajse asnjë informacion që nuk është bërë publik tashmë në vendimet gjyqësore, nga mediat, ose në raportet e OJQ-ve.

“Por të gjithë hiqen sikur nuk ka ndodhur asgjë –  institucionet shtetërore, partitë politike, mediat dhe elitat kryesore. ‘Zotimi për heshtje’ ka zgjatur shumë dhe kjo faqe është një kundërpeshë ndaj kësaj”, tha Gjuriq për BIRN.

“Qëllimi është që viktimat të kënaqen, të fillohen procedurat penale ndaj atyre që janë përgjegjës, të gjendet një vend në kujtesën publike për këto ngjarje tragjike, të kuptohet konteksti, të flitet për viktimat dhe që kriminelët të mbahen përgjegjës”, ai shtoi.

Gjuriq tha që OJQ-ja u përpoq ta “bënte mesazhin sa më të qartë dhe të thjeshtë që është e mundur”.

“Faqja e internetit analizon ngjarjet në Serbi gjatë luftërave të viteve 1990. Ajo e hedh poshtë gënjeshtrën që Serbia nuk mori pjesë në luftëra. Hedhja poshtë e kësaj gënjeshtre është një domosdoshmëri në vitin 2020, sepse sot shoqëria jonë përbëhet kryesisht nga ata që nuk kanë lindur në vitet 1990 ose ishin shumë të rinj për ta kuptuar”, shpjegoi ai.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të gjetur paqe me veten tonë, as për të siguruar paqen rajonale, vetëm nëse përballemi me karakterin e regjimit të Millosheviqit dhe politikat e tij, dhe pasojat për jetën dhe fatet njerëzore”, shtoi ai.

Teksti në faqen e internetit thotë se historitë e viktimave dhe të të mbijetuarve të luftës janë “hequr nga diskursi publik” në Serbi, ndërsa ish-nxitësit dhe kriminelët e luftës janë bërë më të zëshëm në mohimet e tyre të krimeve.

Faqja përfshin një seksion kushtuar “përfaqësimit të dëshmive të viktimave të krimeve të luftës” në përpjekje për të adresuar këtë çështje.

Burimet kryesore të përdorura ishin raportet nga organizatat e të drejtave të njeriut, sidomos nga Fondi për të Drejtën Humanitare, por edhe vendimet e gjykatës, raportimet e mediave dhe intervistat, tha Gjuriq.