Sadri Ramabaja. Foto: Facebook

Sadri Ramabaja: Aktakuzë e re ndaj meje nga Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë të re ndaj Sadri Ramabajës. Kështu po pretendon vetë Ramabaja përmes një postimi në Facebook.

Ai e ka quajtur akuzën e Prokurorisë Speciale “të sajuar” dhe “të paramenduar politikisht”.

“ Aktakuzë e stisur nga Prokuroria e kapur. Në këta pak rreshta shihet se komplet aktakuza është e sajuar, e stisur dhe e paramenduar mirë politikisht “, ka shkruar Ramabaja.

Në njërën pikë të aktakuzës ku përshkruhen veprimet e të pandehurve, janë përshkruar edhe veprimet e të pandehurit Ramabaja, sipas të cilave i kishte dhënë këshilla M.J. se si ta kryente veprën për të cilën po akuzohet.

“Ajo bazohet në insinuata dhe shpifje ordinere të agjentëve analfabet të Policisë. Ata pohojnë se më 11 mars 2017 në vilën PANORAMA , në lagjen Mati të Prishtinës, kam takuar Murat Jasharin dhe shoqëruesin e tij A.LL. Me atë rast i paskam dhënë këshilla e udhëzime M.J. se si ta kryej aktin e vrasjes ndaj avokatit Azem Vllasi “, shkruan në postim.

Më tutje Ramabaja ka theksuar se sipas tij një fjali i ka mjaftuar Prokurorisë për të ngritur aktakuzë ndaj tij.

“Më 13 mars e paskam dërguar tok me A.LL në motelin “Fontana” në periferi të Lipjanit… Kaq, i ka mjaftuar Prokurorisë që të ngrisë aktakuzë “, shkruhet me tutje.

Ramabaja në reagimin e tij ka përmendur, sipas tij edhe idenë e Thaçit, sipas të cilave Kurti, Konjufca dhe Ramabaja ishin ideatorë të organizatës terroriste “ Syri i popullit “.

“ Në aktakuzën paraprake isha Ideatori dhe ideologu i Organizats terroriste “Syri i popullit”. Madje sipas Hashim Thaçit, tok me Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën ne kishim strukturuar tërë këtë farë organizate të ashtuquajtur “Syri i popullit”. Ndërkaq unë na i kisha pas hartuar edhe kumtesat e para të UÇK-së! Kështu pat pohuar Presidenti ynë më 28 dhjetor 2018. Në këtë aktakuzën e re, asnjë gjurmë nga këto shpifje ordinere të dhëna nën betim nga Presidenti i Republikës! Në këtë tekst të aktakuzës nënkuptohet se menjëherë, më 13 mars 2017 unë paskam tentuar të arratisem dhe paskam pas falsifikuar pasaportën e  një mikut tim! E, po, këso fantazish, janë të tolerueshme për romane kriminalistike, por jo për një Prokurori të shtetit që me këtë lëndë është marrë që prej  marsit 2017 “, është shprehur në postimin e tij Ramabaja.

Po ashtu Ramabaja ka theksuar se prokuroria, sipas tij ka informacione të mjaftueshme se dëshmitarët e fshehur të Policisë (A1 dhe A3) kanë dhënë deklarata në Gjykatë dhe kanë pohuar të kundërtën e asaj që prisnin gjykata dhe skenaristët e këtij procesi të turpit në raport me të.

Gjithashtu Ramabaja ka  shkruar se Prokuroria dhe Gjykata e kanë të qartë se ai Murat Jasharin e kishte takuar 30 minuta më 11 mars 2017 në vilën në fjalë, por më nuk e kishte parë.

“ Më 13 mars nga mbrëmja, bashkë me një mikun tim gjerman, unë kam udhëtuar për Tiranë. Ata tashmë e dinë se Murat Jasharin unë e kam ritakuar vetëm dy herë pas 25 viteve të plota dhe e dinë se takimet kanë pas të bëjnë me redaktimin e librit të tij me titull ‘Lufta e pambaruar”, që sërish na qenka propozuar si provë materiale “, shkruan në postim.

“ Pse falsifikohet teksti i akuzës që në start, dy herë, si për këtë rast edhe për gjoja falsifikimin e pasaportës, derisa e dinë se pasaporta nuk është falsifikuar fare “, ka pyetur ai.

Sipas Ramabajës po dëshmohet se Prokuroria Speciale mbetet edhe me tutje mekanizmi më i keqpërdorur nga pushteti për përndjekje të kundërshtarëve politik.

Kurse ka shprehur optimizmin e tij që gjatë seancave të këtij procesi prokuroria do të tërhiqet nga akuza ndaj tij.

“ Gjatë seancave të këtij procesi të turpit  të drejtësisë sonë, jam i bindur se ashtu si është detyruar Prokuroria të heqë dorë nga akuzat e rënda për terrorizëm dhe vrasje e pregaditje të vrasjeve të personaliteteve të larta të Republiës, ashtu do të heqin dorë edhe nga këto insinuata banale ndaj meje “ ka shkruar Ramabaja.

Sipas tij organizata siç e ka quajtur ai “ fiktive “, “ Syri i Popullit “ është ngritur nga SHIK-u dhe shfrytëzuar nga pushteti.

“Syri i popullit” si organizatë fiktive, mua më rezulton se është ngritur nga SHIK-u dhe është shfrytëzuar nga Pushteti për ndërlidhje të saj me Lëvizjen Vetëvendosje, me qëllim të vetëm shpalljen e VV s organizatë të ndërlidhur me terrorizmin dhe rrjedhimisht të shpallej e jashtëligjshme. Ky ishte skenari i radhës për një projekt të kësaj natyre, meqë ai parapraku, pas vrasjes së Astrit Deharit, ju kishte dështuar “, shkruan Ramabaja.

Ndërsa gjithë ngjarjen lidhur me “ Syrin e Popullit “, Ramabaja e ka quajtur skenar të dështuar.

“ Edhe skenari me emrin e “Syri i popullit”, siç është verifikuar tashmë, pavarësisht shpifjeve ordinere të dy figurave qendrore të Shtetit, që ishin dëshmitarë më 28 dhjetor 2018, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ka rezultuar si i dështuar. Tendenca për t’ më ndërlidhur mua me çdo kusht me tentimvrasjen e Azem Vllasit është përpjekja e radhës për t’ fshehur gjurmët e vet shtetit në këtë vepër krimi. Në këtë rast, Azem Vllasi, tashmë kam bindjen e plotë, ishte viktimë e Shtetit, ashtu siç jam edhe unë “ thuhet tutje.

Sipas tij, ka pritur se Prokuroria do të hiqte dorë nga përndjekja, pas demantimi të plotë që i kishte bëre aktakuzës së parë.

“ Këtë aktakuzë me provat dhe dëshmitarët që do të thërras gjatë procesit, jam i bindur se do ta zhveshim tok me avokatin tim dhe dëshmitarët që do t’ i propozoj unë, edhe më keq se të parën. Nuk do të ishte mirë që Gjykata të lejojë që me shkresat e një të sëmuri mendor, skizofreni e shkallës së lartë, të manovroj sërish si me dokumente e fakte reale, faktike,e t’ i procedoj, siç veproi Prokurori Sylë Hoxha dhe trupi paraprak i Gjykatës themelore i kryesuar nga gjykatsja marionetë e pushtetit, Naime Jashanica Krasniqi, një nga juristet më të dobta që mund ta ketë përgjithësisht sistemi ynë i Drejtësisë “, ka shkruar Ramabaj.

Postimin e gjatë të tij, Ramabaj e ka mbyllur me njoftimin që i ka bërë avokati i tij për seancën fillestare që pritet të mbahet me 11 nëntor.

“ Më 11 nëntor 2020, siç më njoftoi avokati, qenka thirrë seanca fillestare. Unë do t’ i propozoj avokatit që ta shfrytëzojmë të drejtën tonë dhe ta kontestojmë ligjshmërinë e kësaj aktakuze ndaj meje. Do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet juridike që na i mundëson ligji. Ta shohim si do të reagojë më pas Gjykata e Apelit dhe ajo Supremja “ shkruhet në reagim.

Ramabaja ne korrik të këtij viti është liruar nga masa e paraburgimit pasi që gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarve  të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

https://kallxo.com/ligji/sadri-ramabaja-lirohet-nga-paraburgimi/