Ermal Sadiku

Sadiku: Mungon transparenca në takimet e Kurtit me kompanitë e teknologjisë së informacionit

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në SHBA është takuar me drejtues të kompanive të mëdha të teknologjisë, përfshirë Microsoft, LinkedIn, Uber e të tjera.

Në këtë vizitë kryeministri Kurti ka promovuar tregun e Kosovës për investime në fushën e teknologjisë.

Ermal Sadiku, nga kompania ‘LinkPlus’ thotë se ndihet krenar të shohë vizitat në këto kompani, por sipas tij, dyshuese janë rezultatet e këtyre takimeve.

Sipas tij, ajo çka i mungon këtyre takimeve është transparenca se çka është diskutuar në to.

“Po ndihna krenar kur po i shoh pamjet, por po dyshoj për rezultatin. Arsyeja është se nuk është shumë transparent krejt procesi i takimit, nuk po e dijmë për çka është duke u folur, për çfarë plani është shku atje, si komunitet dhe si qytetar dhe si pjesë e kësaj industrie, kisha pas qejf me ditë çfarë propozimi jemi tu i dhënë atyre kompanive gjigande, çka jemi duke kërku e çka jemi duke ofru”, tha Sadiku në emisionin ‘Kallxo Përnime’.

Sadiku shton se Kosova ndër vite ka qenë në ‘terr informativ’ dhe duhet tani të ketë infomacione më të detajuara për këto lloj takimesh.

“Ne kemi qenë gjithmonë në terr informativ në shumë takime në 20 vitet e fundit, s’e kemi ditë as qysh është bërë autostrada as qysh është bërë kjo ose çfarë oferta kemi pasë për Telekom e të tjera dhe ideja ka qenë me u ndërru qikjo, kisha pasë qejf me pasë shumë informata”, shtoi ai më tej.

Ai vuri në dyshim edhe investimet e këtyre kompanive në Kosovë.

“Shumë është problem me investu në Kosovë disa kompani sepse ato janë të tregut të lirë edhe e shohin interesin edhe i tyre është mos me u marrë me gjithçka por me caktu një vend që është si më lider i rajonit për shkak të madhësisë dhe pastaj me ia lënë në dorë me menaxhu rajonin”, tha Sadiku më tej.