Sa vota mori në fshatin e tij të lindjes Kadri Veseli?

Pas 12 viteve në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës që udhëhiqet nga Kadri Veseli për herë të parë do të mbetet në opozitë.

Nga numërimi i votave të rregullta, PDK është renditur në vendin e tretë pas Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndonëse me një rezultat të ngushtë, PDK e Kadri Veselit arriti të dal e para në qytetin e Mitrovicës, qytet nga vjen edhe i pari i kësaj partie.

Të dielën e 6 tetorit, PDK në qytetin e minatorëve mori plotë 10 mijë 751 vota apo 34.41 përqind të votave.

E dyta në Mitrovicë doli Vetëvendosja. Partia e Albin Kurtit mori 10 mijë e 527 vota apo 33.70 përqind të votave, pra vetëm 223 vota më pak se PDK.

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së vjen nga fshati Broboniq i Mitrovicës në vendlindje mori shumicën e votave. Bashkëfshatarët Veselit ia dhanë 189 vota apo 64.95 përqind të votave në qendrën e votimit 1129b.

Ndërsa, dy partitë tjera, LVV e LDK morën nga 49 vota përkatësisht 43.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 203 mijë e 052 vota apo 25.49 përqind. Ndërsa, LDK doli e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.82 përqind të votave. Në këtë rezultat nuk janë numëruar votat e diasporës votat me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.