Pal Lekaj - Foto: Facebook/PalLekaj

Sa vota ia dhanë bashkëfshatarët Pal Lekajt?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që bashkoi forcat me Partinë Socialdemokrate për zgjedhjet e 6 tetorit doli si forca e katërt politike në vend.

Lista për deputetë e Ramush Haradinajt dhe e Shpend Ahmetit arritën 92 mijë e 149 vota apo 11.57 përqind e të votuesve në përgjithësi.

Komuna e Gjakovës udhëhiqet nga partia e Ramush Haradinajt. E nga kjo komunë vjen edhe ish- ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.

Në fshatin prej nga vjen Lekaj, Novosellë e Epërme, koalicioni AAK-PSD mori goxha shumë vota në krahasim me partitë tjera.

Më shumë se gjysma e fshatit ia besuan votat AAK-së, plotë 379 vota apo 57.47 përqind të votave në Novosellë e Epërme.

LDK ishte partia e dytë që mori më së shumti vota në fshatin e Pal Lekajt, me 62 vota, ndërsa PDK mori 14 e VV 11.

KALLXO.com raportoi në ditën e zgjedhjeve për lëvizjet e shpeshta të djalit të Pal Lekajt në qendrën e votimit në Novosellë të Epërme.

Djali i Pal Lekajt me lëvizje të shpeshta në qendrën e votimit në fshatin Novosellë – VIDEO

Pas këtij raportimi shoqëruesi i djalit të Pal Lekajt ju kishte drejtuar me fjalë kërcënuese ekipit të KALLXO.com, duke ju thënë se “Nëse publikoni ndonjë foto timen më mirë ngjituni në qiell”. Kurse djali i Pal Lekajt, Astriti, kishte deklaruar se “Unë po ju njoh”.

Shoqëruesi i djalit të Pal Lekajt kërcënon ekipin e KALLXO.com

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 203 mijë e 052 vota apo 25.49 përqind. Ndërsa, LDK doli e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.82 përqind të votave. Në këtë rezultat nuk janë numëruar votat e diasporës votat me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.