Foto: KALLXO.com

Sa vota i mori në fshatin e saj të lindjes Vjosa Osmani?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nxorën dy partitë opozitare si të parat pas 6 tetorit.

Lëvizja Vetëvendosje, pas numërimit të të gjitha votave të rregullta doli e para, ndërsa u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani nuk arrti t’i merr shumicën e votave as në qytetin e saj të Lidhjes, në Mitrovicë.

Por, në fshatin prej nga vjen ajo, Zhabar, LDK mori më së shumti vota. Në qendrën 1101b, partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa mori plotë 161 vota apo 38.24 përqind.

Nga qyteti i Mitrovicës ishte edhe kandidati i PDK-së, Kadri Veseli. Partia e tij madje doli e para në këtë komunë ndërsa, në fshatin prej nga vjen Vjosa Osmani, në Zhabar, PDK mori 115 vota.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor.

Deri më tani fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 203 mijë e 052 vota apo 25.49 për qind. Ndërsa, LDK doli e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.82 për qind të votave. Në këtë rezultat nuk janë numëruar votat e diasporës votat me kusht, me postë dhe të personave me aftësi të kufizuara.