Sa vonohet përkthimi i dokumenteve publike në dy gjuhët në komunat e Kosovës?

14 vite më parë në Kosovë është miratuar ligji për përdorimin e gjuhëve i cili kërkon që dokumentet zyrtare të jenë të publikuara në dy gjuhët zyrtare në vend. Megjithatë me një kërkim të thjeshtë në faqet zyrtare të komunave mund të vërehet që dokumentet e përkthyera mungojnë.

Një praktikë e vërejtur është se në komunat që ka shumicë shqiptare, ka shumë pak të dhëna për komunitetet e tjera, situatë e njëjtë është edhe në komunat me shumicë serbe.

Në komunën e Mitrovicës së Jugut, jo të gjitha dokumentet janë të përkthyera në dy gjuhët dhe kjo mungesë i atribuohet mungesës së resurseve për të përkthyer këto dokumente.

“Mendoj që përgjithësi në nivel të Kosovës, zyra e informimit të kenë një staf pak më të madh për arsye të fluksit të punës. Do të ishte mirë që brenda zyrës së informimit të ekzistonte edhe një përkthyes që neve do të na lehtësonte procesin e punës, sepse në suaza ditore publikohen shumë dokumente, qoftë nga kryetari, apo të prokurimit. Që të sigurojmë një transparence të plotë dhe në kohë për të gjithë, do të ishte e arsyeshme që të kemi edhe një zyrtar”, thotë Blerina Kastrati, zyrtare për informim në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Organizatat joqeveritare që kanë monitoruar implementimin e ligjit për gjuhët kanë hasur probleme në disa komuna të vendit. Hulumtimet e organizatave kanë gjetur probleme veçanërisht në qasjen në dokumente publike.

Qëndrim Arifi nga INPO thotë se institucionet kanë ngecje dhe mangësi në respektimin e ligjit për dy gjuhësi.

Qendrim Arifi – INPO

“Ligji për gjuhët i vitit 2007 përcakton në mënyrë të qartë se të gjitha dokumentet nga institucionet që prodhohen duhet të bëhen në dy gjuhë. Nga monitorimi ynë sistematik shohim që kjo nuk është e respektueshme, jo në aspekt absolut por tepër i pa përfillshim, tepër pak dokumente mund t’i gjeni në dy gjuhësi në uebfaqet e komunave të Kosovës dhe kjo është një pengesë e jashtëzakonshme për personat që se njohin gjuhën tjetër, por i përkasin komunitet serb dhe shqiptar”, tha Arifi për BIRN.

Problemet me publikimin e dokumenteve janë të ngjashme si në komunat me shumicë shqiptare e po ashtu në ato me shumicë serbe. Në komunën e Graqanicës zyrtari përgjegjës për publikimin e dokumenteve pranon se kanë vonesa në këtë drejtim.

“Sa i përket dokumenteve të cilat miratohen nga ana e Kuvendeve Komunale, sa i përket vendimeve, konkurseve, njoftimeve, të gjitha dokumentet publikohen në faqen zyrtare të Komunës së Graçanicës, njëkohësisht në gjuhën serbe dhe shqipe. Ka raste kur ka vonesa në publikimin e dokumenteve në gjuhën shqipe, por kjo zakonisht është vetëm një ditë”, thotë Aleksandar Todoroviq.

Mungesa e dokumenteve të përkthyera së pari ua vështirëson punën gazetarëve të cilët merren me mbulimin e çështjeve të komunave. Për ta, qasja në të dhëna dhe sigurimi i kontakteve të personave që dinë të komunikojnë në gjuhën shqipe apo serbe paraqet problem.

Taulant Osmani, gazetar në BIRN thotë se në uebfaqet e komunave nuk ka as kontakte të zyrtarëve.

“Në komunat me shumicë serbe, nëse hyjmë në uebfaqe është shumë problem t’i gjejmë kontaktet e zyrave për informim apo të drejtorive përkatëse apo edhe kryetarëve të komunave, kur ne dëshirojmë që të kemi komunikim më këto komuna është shumë vështirë, për faktin se tentojmë që të lidhemi me informacionet e pakta që gjenden te dokumentet e prokurimit publik, adresa e zyrtarit ose përmes kolegeve gazetar që punojnë në ato zona, kur ne duhet të gjejmë ndonjë kontakt”, thotë Osmani.

Zorica Vorguçiq, gazetare në RTV KIM, po ashtu thotë se ka problem me sigurimin e dokumenteve në dy gjuhët.

“Unë nuk di se si qëndron puna në komunat tjera. Atë që mund ta them është se komuna e Graqanicës është një shembull shumë pozitiv. Këtu në Graqanicë, tu e pasë parasysh se jetojnë edhe romët, gjuha tjetër zyrtare është edhe ajo rome, dokumentet lëshohen në gjuhën rome, kurse tani për shkak të disa ngjarjeve mendoj se s’ka përkthime dhe për këtë kanë treguar organizatat rome, por ata në përgjithësi e njohin edhe gjuhën serbe, ashtu që ata se kanë këtë problem”, thotë ajo për BIRN.

Për të zgjidhur problemet me gjuhët në komuna si ajo e Gracanicës, qeverisja ka nisur të organizoj kurse të gjuhës për stafin në mënyrë që të jetë më i lehtë komunikimi. Në mes të vitit 2018 dhe vitit 2019, mbi 30 zyrtarë të komunës së Gracanicës kanë ndjekur kurs për mësimin e gjuhës shqipe.