Sa serioze janë problemet ligjore që rëndojnë ndaj ish-presidentit Trump?

Donald Trump është nën hetime për gjithçka, duke filluar nga mënyra si i ka trajtuar dokumentet tepër sekrete deri tek përpjekjet e supozuara për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Dhe kandidati kryesor për nominimin republikan në 2024 ka pësuar një sërë pengesash ligjore kohëve të fundit.

Trump u bë ish-presidenti i parë që u përball me akuza penale – për një skemë të supozuar të parave në këmbim të heshtjes – dhe u urdhërua veçmas t’i paguante miliona dollarë një shkrimtareje pasi u gjet përgjegjës për abuzim seksual.

Këtu janë rastet në vazhdim që paraqesin rreziqet më serioze ligjore.

Çfarë po hetohet?

Nju Jorku është një vatër aktiviteti ligjor kur bëhet fjalë për ish presidentin Trump.

Ai u bë ish-presidenti i parë që u përball me akuza penale kur u padit atje pas një hetimi për një pagesë prej 130,000 dollarësh për ish-yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels.

Stormy Daniels pretendon se dyshja kanë pasur marrëdhënie seksuale, diçka që Trump e mohon dhe thotë se ajo i pranoi paratë nga ish-avokati i tij përpara zgjedhjeve të 2016-ës në këmbim të heshtjes së saj.

Ndërkohë, praktikat e biznesit të kompanisë së tij familjare, Organizata Trump, po shqyrtohen nga prokurorët e shtetit.

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut po udhëheqë një hetim civil (i cili nuk mund të rezultojë në akuza penale) dhe ka shpenzuar vite në hetime nëse kompania ka kryer akte të ndryshme mashtrimi gjatë disa dekadave.

Një hetim penal po shqyrton çështje të ngjashme.

Çfarë ka thënë Trump?

Trump e ka përshkruar aktakuzën në rastin e Stormy Daniels si “persekutim politik” duke shtuar se nuk pret të këtë një gjyq të drejtë ndaj tij.

Ndaras nga kjo, ish-presidenti dhe avokatët e tij kanë këmbëngulur se akuzat kundër Organizatës Trump janë të motivuara politikisht.

Pra, sa serioze është?

Trump është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit në rastin Stormy Daniels. Rasti tani po shkon në gjyq, i cili ka të ngjarë të ndodhë në shkurt ose mars 2024.

Rezultati më i mundshëm atje mund të jetë denimi me gjobë.

Hetimi penal për Organizatën Trump ka dhënë tashmë dënime. Kompania u shpall fajtore për mashtrim dhe falsifikim të të dhënave të biznesit dhe u gjobit. Allen Weisselberg, shefi financiar i organizatës, u dënua me burg.

Në çështjen civile, prokurori i përgjithshëm ka ngritur një padi kundër ish presidentit Trump dhe tre prej fëmijëve të tij duke i akuzuar ata për mashtrim “befasues” dhe për fryrje të vlerës së tyre neto. Ajo kërkon 250 milionë dollarë që dyshohet se janë marrë me mjete mashtruese.

Një gjykim, në atë rast, është caktuar për në muajin tetor.

Çfarë po hetohet?

Departamenti i Drejtësisë po e shqyrton largimin e dokumenteve qeveritare nga Shtëpia e Bardhë, të cilat më pas u dërguan në pronën e Trump në Florida, Mar-a-Lago, pasi ai u largua nga detyra e presidentit. Hetuesit po vlerësojnë se si janë ruajtur këto dokumente dhe kush mund të ketë pasur qasje në to.

Prona e gjerë buzë plazhit të ish-presidentit u kontrollua në muajin gusht dhe u sekuestruan 11,000 dokumente, duke përfshirë rreth 100 të shënuara si të klasifikuara. Disa prej tyre u etiketuan si top sekret.

Çuditërisht, ne dimë shumë pak për atë që është në dokumente. Mirëpo materialet e klasifikuara zakonisht përmbajnë informacione për të cilat zyrtarët mendojnë se mund ta dëmtojnë sigurinë kombëtare në rast se bëhen publike.

Çfarë ka thënë Trump?

Trump ka mohuar të ketë bërë diçka gabim dhe e ka kritikuar hetimin e Departamentit të Drejtësisë, duke e quajtur atë “të motivuar politikisht” dhe një “gjueti shtrigash”.

Ai ka ofruar mbrojtje të ndryshueshme, të cilat kryesisht janë varur nga argumenti se ai e ka deklasifikuar materialin. Ende nuk është dhënë asnjë provë se kjo është e vërtetë.

Ish-presidenti ka argumentuar gjithashtu se disa nga dokumentet mbrohen nga “privilegji” – një koncept ligjor që do t’i pengonte ato të përdoren në procedurat e ardhshme. Një avokat i pavarur po e shqyrton materialin e sekuestruar për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë më këtë rast.

Mirëpo Trump nuk e ka adresuar drejtpërdrejt pyetjen kryesore se pse dokumentet ishin në Mar-a-Lago në radhë të parë.

Pra, sa serioze është?

Ky është një hetim penal aktiv dhe mund të rezultojë në ngritjen e akuzave.

Ndër statutet e tjera, Departamenti i Drejtësisë beson se Trump mund ta ketë shkelur Aktin e Spiunazhit duke mbajtur informacione të sigurisë kombëtare që “mund të përdoren për dëmtimin e Shteteve të Bashkuara”.

Përveç akuzave që lidhen me vetë dokumentet e klasifikuara, prokurorët po hetojnë gjithashtu edhe për pengimin e drejtësisë si një tjetër krim të mundshëm.

Departamenti i Drejtësisë e ka emëruar një avokat të pavarur, ose këshilltar special, për t’i mbikëqyrur të gjitha hetimet e tij penale ndaj Trumpit. Jack Smith do t’i udhëheqë hetimet e tij të ndryshme dhe në fund do të vendosë nëse do të ngrejë akuza.

Çfarë po hetohet?

Roli i supozuar i ish presidentit Trump në sulmin në Kapitol Hill të SHBA më 6 janar 2021, kur një turmë mbështetësish të tij e sulmuan ndërtesën në përpjekje për ta ndaluar konfirmimin e fitores zgjedhore të Presidentit Joe Biden, është nën vëzhgimin e prokurorëve.

Një komitet i Kongresit kaloi 18 muaj duke i hetuar veprimet e Trumpit. Ata mbajtën një seri seancash dëgjimore televizive duke e paraqitur rastin e tyre se pretendimet e tij për mashtrim zgjedhor çuan drejtpërdrejt në trazira.

Pas këtyre seancave, komiteti e akuzoi Donald Trumpin për nxitje të kryengritjes dhe ia referoi gjetjet e tij Departamentit të Drejtësisë.

Departamenti po e udhëheqë një hetim penal për 6 janarin dhe përpjekjet më të gjera për t’i përmbysur zgjedhjet – por kjo ka qenë kryesisht e mbuluar me fshehtësi.

Është hetimi më i madh i policisë në historinë e SHBA-së, por shkalla në të cilën Trump është një objektiv është ende e paqartë.

Çfarë ka thënë Trump?

Trump e ka mohuar përgjegjësinë për trazirat dhe ka vazhduar t’i përsërisë pretendimet e tij të pabazuara për mashtrim të gjerë të votuesve në zgjedhjet e 2020.

Pra, sa serioze është?

I takon Departamentit të Drejtësisë të vendosë nëse do të ngrejë kallëzime penale, dhe hetimi i tij tashmë ka rezultuar në akuzimin e qindra njerëzve që sulmuan Kapitol Hillin me 6 janar të vitit 2021.

Ish-presidenti nuk është thirrur në pyetje në atë hetim, por mbetet një mundësi.

Ai mund – në teori – të akuzohet nëse hetuesit besojnë se ka prova të mjaftueshme për keqbërje nga ana e tij.

Çfarë po hetohet?

Prokurorët kanë hetuar nëse Trump dhe të tjerët vepruan në mënyrë të paligjshme për të provuar dhe përmbysur humbjen e tij të ngushtë në shtet në vitin 2020.

Hetimi penal u hap pas zbulimit të një telefonate një orëshe midis ish-presidentit dhe zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve të shtetit më 2 janar 2021.

“Unë thjesht dua të gjej 11,780 vota,” dëgjohet të ketë thënë Trump gjatë thirrjes me Sekretarin Republikan të Shtetit Brad Raffensperger – një referencë për numrin e fletëvotimeve të nevojshme për t’i dhënë atij fitoren në shtetin swing.

Një juri e madhe i dëgjoi provat për më shumë se tetë muaj përpara se të dorëzonte një raport përfundimtar, i cili mbetet i vulosur.

Çfarë ka thënë Trump?

Ai e ka përshkruar hetimin – siç i ka përshkruar edhe shumë të tjerë – si një “gjueti shtrigash”.

E ka sulmuar gjithashtu zyrtarin ligjor që e udhëheqë hetimin – kryeprokurorin e qarkut Fulton, Fani Wllis – si një “demokrat i ri, ambicioz, radikal i majtë”.

Pra, sa serioze është?

“Akuzat janë shumë serioze. Nëse akuzohen dhe dënohen, njerëzit përballen me dënime me burg”, pati deklaruar zonja Willis për ëashington Post në shtator.

Juria e madhe prej 26 anëtarësh nuk kishte kompetenca për ngritjen e aktakuzës, por mund të kishte rekomanduar akuza. Ndër krimet e mundshme që u shqyrtuan ishin nxitja e mashtrimit zgjedhor, dhënia e deklaratave të rreme për zyrtarët e qeverisë dhe reketimi.

Nuk dihet nëse ish-presidenti po hetohet drejtpërdrejt, por disa nga aleatët e tij mësohet se janë pjesë e hetimit.

Zonja Willis pritet të zbulojë nëse Trump dhe të tjerët do të akuzohen këtë verë./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala