Ilustrim

Sa raste kanë trajtuar prokuroritë lidhur me mashtrimin e konsumatorëve e blerësve viteve të fundit?

Legjislacioni i Kosovës ka paraparë dispozita për mbrojtjen e konsumatorëve-blerësve, ashtu që personat që veprojnë në kundërshtim me këto dispozita konsumojnë elemente të veprave penale.

Në Kodin Penal të Kosovës janë paraparë dy vepra penale në këtë drejtim, mashtrimi i konsumatorëve dhe mashtrimi i blerësve.

Personat qe kryejnë këto vepra penale rrezikojnë burgimin deri në 3 vjet.

Duke pas parasysh aktualitetin në rritjen e çmimeve, KALLXO.com ka kërkuar nga prokuroritë në Kosovë të dhëna lidhur me rastet që janë trajtuar ndër vite për këto dy vepra që lidhen me mashtrimin e konsumatorëve.

Këto të dhëna përfshijnë periudhën kohore prej vitit 2019 deri në fillim të vitit 2021.

Prokuroritë në Kosovë për këto 3 vite kanë pranuar kallëzime penale për 29 persona në drejtim të këtyre veprave penale.

Gjatë vitit 2019, kallëzimet penale për 4 persona janë hedhur poshtë nga ana e prokurorisë, ndërsa për dy persona është bashkuar procedura.

Të dhënat e KPK-së për vitin 2020 tregojnë se prokuroritë kanë pranuar kallëzime penale për 11 persona, ndërsa për 6 prej tyre janë zgjidhur nga prokuroritë.

Për këtë vit janë ngritur 3 aktakuza për 3 persona, ndërsa për 1 person është hedhur kallëzimi penal.

Në vitin 2021 janë shënuar raste të këtyre veprave penale për 6 persona.

Prej këtyre rasteve janë ngritur aktakuza për 3 persona, ndërsa është hedhur kallëzimi penal për 1 person.

Këto të dhëna janë marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në Kodin Penal të Kosovës janë paraparë se cilat veprime i konsumojnë këto vepra penale.

Kodi Penal ka paraparë dënimn me gjobë dhe deri 1 vit burg për të gjithë ata që bëjnë deklarim të rrejshëm se çmimet do të rritet apo ulen.

“Kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve shpall rrejshëm se është zbritur çmimi i mallit apo se pritet rritja e çmimit të mallit ose në ndonjë mënyrë tjetër përdor haptazi reklamë të rreme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit”

“Kushdo që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe me qëllim të mashtrimit të blerësve apo konsumatorëve, përdor ose posedon me qëllim të përdorimit si emër apo shenjë të tij ose shenjë të veçantë të mallrave të tij, emrin apo shenjën e tjetrit, shenjën e mallrave apo shenjën e shërbimeve të tjetrit, ose shenjën e tjetrit që lidhet me prejardhjen gjeografike ose ndonjë shenjë tjetër të veçantë të mallrave apo përbërësve të tyre, dënohet me burgim deri në (3) tre vjet” parashihet te vepra e mashtrimit të konsumatorëve.

Po i njëjti nen në paragrafin tjetër parasheh që cilido person që me qëllim të mashtrimit të blerësve apo konsumatorëve, përdorë gjatë prodhimit shenjën apo modelin e tjetrit pa autorizim, ose vë në qarkullim artikujt e prodhuar në këtë mënyrë, dënohet deri në 3 vite.

Në lidhshmëri me këtë nen sendet dhe pajisjet për prodhimin e tyre duhet konfiskuar.

Ndërsa vepra tjetër penale mashtrimi i blerësve po ashtu dënohet deri në 3 vite.

“Kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve vë në qarkullim prodhime me shenjën në të cilën janë shënuar të dhëna të cilat nuk i përgjigjen përmbajtjes, llojit, prejardhjes apo kualitetit të produktit, vë në qarkullim produkte të cilat për nga pesha apo kualiteti nuk i përgjigjen asaj që rregullisht parashihet te produktet e tilla apo vë në qarkullim produkte pa shenjat që tregojnë për përmbajtjen, llojin, prejardhjen apo kualitetin e produktit kur shenja e tillë kërkohet me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet” parasheh ky nen për mashtrimin e blerësve.

KALLXO.com me herët ka publikuar një shkrim lidhur me paralajmërimin e rrejshëm të rritjes së çmimeve nga bizneset.

Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve nga bizneset dënohet me burg