Kadri Rahimaj - Foto: KALLXO.com
Sa premtime i përmbushi Kadri Rahimaj për tre vjet qeverisje në Kamenicë?
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në vitin 2021 i fitoi zgjedhjet pasi premtoi se do të ofronte zgjidhje për problemin e ujërave të zeza, do të ndërtonte dy çerdhe e do zbatohej mësimi tërëditor.
Rubrika ‘Fact Check’ në kuadër të debatit ‘Jeta në Komunë’ ka verifikuar në terren se a janë përmbushur premtimet e tij apo jo.
Kryetari Rahimaj në vitin 2021 për problemin e ujërave të zeza kishte premtuar ndërtimin e rajoneve të sedimentimit, të cilit i ishte referuar si projekt inovator.
Ky premtim i Rahimajt u vlerësua ‘Hetimet vazhdojnë’ pasi ekipi i KALLXO.com ka verifikuar në terren se ende nuk është ndërtuar asnjë projekt për trajtimin e ujërave të zeza përmes sedimentimit.
Edhe Komuna e Kamenicës e ka konfirmuar se nuk ka filluar ndërtimi i rajoneve të sedimentimit.
“Nuk ka filluar ndërtimi i rajoneve të sedimentimit të ujërave të zeza, planifikohen të ndërtohen në vitin 2025” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Kamenicës.
Se pse nuk janë ndërtuar rajonet e sedimentimit deri më tani, por planifikohen në vitin 2025, në debatin “Jeta në Komunë” Rahimaj tha se u janë dashur tri vjet për t’i bërë disa analiza paraprake.
“Ne e kemi gjetë një komunë e cila nuk ka një historik për nivelin e kolektorëve dhe kanalizimeve përbrenda fshatit, e cila është dashtë të bëhet një skanim i gjendjes. Më pas, këto rajone kërkojnë që të kyçen dy apo tri fshatra” – ka deklaruar Rahimaj.
Sipas Rahimajt, ndërtimi i rajoneve të sedimentimit është planifikuar në buxhetin e vitit 2025.
Rahimaj kishte premtuar edhe ndërtimin e Parkut Teknologjik, ku të rinjtë e Kamenicës të kenë mundësi të trajnimit falas në gjuhë të ndryshme programuese, dizajnit, animacionit.
Edhe ky premtim u vlerësua ‘Hetimet vazhdojnë’ pasi Komuna e Kamenicës e ka themeluar Parkun Teknologjik dhe se zona pas investimit është duke u menaxhuar nga Cacttus Education.
“Komuna ka investuar 250 mijë euro në ndërtimin e parkut teknologjik. Fitues i ankandit publik për menaxhimin e kësaj hapësire është shpallur Cacttus Education” – janë përgjigjur nga Komuna e Kamenicës.
Në lidhje me premtimin se 50% e drejtorive komunale të Kamenicës do të udhëhiqen nga gratë, kjo rezulton ‘Pjesërisht e vërtetë’ pasi prej 11 drejtorive komunale, 45.5% udhëhiqen nga gratë.
“Komuna e Kamenicës ka filluar udhëheqjen e drejtorive me 6 gra dhe 5 burra. Pas një mandati dyvjeçar, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka liruar detyrën e saj. Tani në Komunën e Kamenicës janë gjithsej 11 drejtori dhe 5 prej tyre udhëhiqen nga gratë” – kanë thënë nga Komuna e Kamenicës.
Rahimaj kishte premtuar përfshirjen e fshatrave në grumbullimin e mbeturinave dhe ndërtimin e deponisë së mbeturinave të ngurta.
‘Hetimet vazhdojnë’ për shkak se të gjitha fshatrat e Kamenicës nuk janë pjesë e sistemit të grumbullimit të mbeturinave dhe ende nuk janë ndërtuar deponitë e mbeturinave të ngurta.
“95% e ekonomive familjare janë përfshirë në sistemin e grumbullimit të mbeturinave. Nuk janë të përfshira vetëm disa fshatra kodrinoro-malore, në mesin e të cilave ato fshatra që nuk kanë banorë (Kremenatë, Gugulloc, Vagnesh, Velegllavë, etj). Dy deponitë do përfundohen brenda vitit 2024” – është përgjigjja e Komunës së Kamenicës.
Rahimaj kishte premtuar hapjen e dy çerdheve të reja në fshatin Koretin dhe Roganë, por dy çerdhet ende nuk janë ndërtuar.
Edhe ky premtim është vlerësuar ‘Hetimet vazhdojnë’.
“Çerdhja në Koretin është në përfundim e sipër ndërsa çerdhja në Roganë është në proces të tenderimit” – thuhet në përgjigjen me shkrim të Komunës.
Në vitin e dytë ose të tretë të mandatit të tij si kryetar, Rahimaj kishte premtuar se do ta zbatonin mësimin tërëditor. E për sigurimin e ushqimit për nxënësit që do mësonin tërë ditën në shkollë, Rahimaj kishte thënë ‘Sigurisht (se ka me pasë)’.
Ky premtim u vlerësua ‘Me kos’, meqë mësimi tërëditor ende nuk ka filluar në Kamenicë.
“Jo, në asnjë shkollë në Komunën e Kamenicës nuk ka qëndrim tërëditor, sepse pjesa më e madhe e shkollave kanë qenë, ose janë në fazën e rinovimeve. Ndërsa, është duke u bërë edhe ndërtimi i kuzhinës qendrore që do të sigurojë ushqim për këtë proces” – kanë thënë nga Komuna e Kamenicës.
Rahimaj premtoi në debatin “Jeta në Komunë” se do të bëjnë çmos brenda këtij mandati të pilotojnë shkolla të caktuara për mësim tërëditor.
“Do tentojmë ta pilotojmë [mësimin tërëditor] nga shtatori i vitit të ardhshëm [2025]” – tha Rahimaj.
‘Hetimet vazhdojnë’ edhe për premtimin se do të ndërtohej shtegu i atletikës për klubin ‘Rogana’, sepse ky shteg ende nuk është ndërtuar.
“Komuna e Kamenicës ka marrëveshje bashkëpunimi me MKRS-në për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës. Marrëveshja ka një vlerë prej 3.5 milionë euro. Sipas marrëveshjes, Komuna e Kamenicës ka qenë përgjegjëse për ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse, gjë të cilën e ka realizuar në vlerë prej 263,916,00 euro. Ndërsa MKRS ka shpallur procedurën për ndërtim të Stadiumit të Atletikës, dhe lënda ka përfunduar në OSHP” – janë përgjigjur nga Komuna e Kamenicës.
Premtimi i Rahimajt për funksionalizimin e ekipeve mobile (në shtëpi) për ofrimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët e Kamenicës ka rezultuar ‘I vërtetë’, sepse është realizuar.
“Po, ekipet mobile janë funksionalizuar dhe secili nga doktorët janë për 7 ditë përgjegjës për mbarëvajtjen e punës së atij ekipi” – kanë thënë nga Komuna.