Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa policë të Kosovës u arrestuan sivjet nën dyshimin për përfshirje në vepra penale?

Zyrtarët policorë, të thirrur për të ruajtur rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës, shpeshherë janë bërë vetë cak i arrestimeve të cilat i ka realizuar Inspektorati Policor i Kosovës.

Vetëm këtë vit që nga janari e deri më sot, sipas kryeshefit të IPK-së, Kushtrim Hodaj, 29 zyrtarë policorë janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave të ndryshme penale.

Ai për KALLXO.com përmendi edhe rastin e fundit të arrestimit të një zyrtari policor në Ferizaj nën dyshimin për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas raportit vjetor të Inspektoratit Policor të Kosovës, që nga viti 2018 e deri më sot janë arrestuar më shumë se 100 policë.

Sipas statistikave që janë të publikuara në raportin e IPK-së, në vitin 2018 janë arrestuar 12 zyrtarë policorë, në vitin 2019, 41 policë, në vitin 2020 38 ndërsa nga janari i këtij viti deri më sot janë arrestuar 29 zyrtarë policorë.

Nga këto shifra të arrestimeve, IPK çdo vit njofton edhe totalin e zyrtarëve policorë të cilët janë suspenduar nga detyra.

Në vitet 2018-2020 janë suspenduar nga detyra 202 zyrtarë policorë.

Gjithashtu duke bërë krahasimin ndër vite të rasteve për të cilat janë hetuar zyrtarët policorë, në raport theksohet rritja në rastet e lëndimit të lehtë trupor dhe keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për rastet apo veprat penale ku të përshirë kanë qenë edhe zyrtarët policorë të Kosovës.

Në fillim të këtij viti, një rast i cili ngriti debat në publik për sjelljen e zyrtarëve policorë karshi të arrestuarve ishte edhe rasti i ish- policit Haris Kelmendi.

I njëjti ishte parë në një video derisa ushtonte dhunë ndaj një personi brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

Në lidhje me këtë rast, ndaj Kelmendit dhe një zyrtari tjetër policor është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Prishtinës.

Kelmendi u largua nga Policia e Kosovës para pak javësh për një rast tjetër i cili po hetohej brenda Komisionit Disiplinor të PK-së.

Një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës përfundoi në pranga në shkurt të këtij viti pasi u kap në flagrancë duke pranuar para të fajdeve.

719 policë të Kosovës janë duke u përballur me sistemin e drejtësisë për vepra penale