Arkiv - Blerim Isufaj duke iu drejtuar gazetarëve | Foto: KALLXO.com

Sa peshon pasuria e Kryeprokurorit të ri të Speciales?

Blerim Isufaj është zgjedhur Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Isufaj në deklarimin e pasurisë së tij për vitin 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar disa prona të tij, mal dhe një banesë.

E gjithë vlera e pasurisë së paluajtshme të Isufajt kap vlerë prej 302 mijë euro. Në deklarimin e tij të pasurisë në AKK janë përfshirë, një truall prej 60 mijë euro, tokë 100 mijë euro, tokë tjetër e trashëguar, 40 mijë euro, tokë tjetër në vlerë 50 mijë euro, një tokë në vlerë 10 mijë euro, një tokë në vlerë 7 mijë euro, një mal në vlerë 5 mijë euro dhe një banesë në vlerë 30 mijë euro.

Ndërsa, te pasuria e paluajtshme, Isufaj nuk ka bërë asnjë deklarim.

Isufaj poashtu nuk ka deklaruar se posedon para të gatshme në institucione financiare, por ka deklaruar se ka detyrime ndaj tyre.

Isufaj ka deklaruar se ka tri kredi, një në vlerë prej 4 mijë euro të cilën e ka deklaruar se e ka marr për orendi të shtëpisë, një në vlerë 49 mijë euro për të blerë banesën dhe për të rinovuar shtëpinë, si dhe një kredi në vlerë 20 mijë euro për mobile shtëpiake dhe rregullim të oborrit të shtëpisë në Junik.

Në deklarimin e pasurisë së paluajtshme, Isufaj ka deklaruar dy shtëpi, njërën në vlerë 100 mijë euro, të cilën ka deklaruar se e ka trashëguar, ndërsa shtëpia e dytë në vlerë prej 80 mijë euro, të cilën e ka deklaruar si të blerë nga prindërit.

Tek të hyrat vjetore, Isufaj  në vitin 2019 ka deklaruar se nga paga si Prokuror i Shtetit, nga shtesat dhe mëditjet, ka të hyra vjetore gjithsej 42 mijë e 513 euro, nga të cilat 31 mijë e 643 janë nga paga mujore e tij, 1 mijë e 130 nga mëditjet, si dhe 1 mijë e 44 euro nga Akademia e Drejtësisë.

Poashtu në të hyrat vjetore Isufaj ka përfshirë edhe pagat e fëmijëve të tij, nga të cilat ka të hyra vjetore 6 mijë e 200 euro dhe nga paga tjetër 2 mijë e 496 euro.