Sa patën sukses aktivitetet e verës te fëmijët e rikthyer nga luftërat e huaja? VIDEO

Në emisionin e së premtes të “Drejtësia në Kosovë” u transmetua reportazhi për të rikthyerit dhe sfidat e tyre në risocializim.

Pamje ekskluzive të aktiviteteve të fëmijëve të cilat u mbajtën gjatë verës, janë transmetuar në emisionin e sotëm.

Mensur Hoti, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Ministri të Punëve të Brendshme, tregoi se sa kishin pasur sukses aktivitetet e verës të cilët u bënë për fëmijët e rikthyer nga vatrat e luftës të cilat sipas programit do të mund të u ndihmonin në riintegrim.

“Këto aktivitete kanë qenë të suksesshme ashtu sic janë planifikuar, kanë dhënë rezultatin e pritur, i cili është vetëm një rezultat i suksesit i pjesshëm sepse ka qenë një plan me disa aktivitete të ndryshme”, tha Hoti.

Ai tregoi se qëllimi kryesor ishte risocializimi i fëmijëve dhe ambientimi në Kosovë.

“Në bazë të krejt asaj çka dimë, një rol të rëndësishëm në këtë proces e ka e kaluara e tyre, ata kanë jetuar në zona të luftës në kushte jashtëzakonisht të këqija në kohët e fundit, trauma, plagë, kushte të këqija të jetesës, humbja e familjarëve dhe kjo do të jetë elementi kryesor që mund të paraqes problem në riintegrim”, shtoi Hoti.

Hoti tha edhe se ende nuk ka ndonjë projekt kulturor ku janë të përfshirë edhe fëmijët e rikthyer.

Ai shtoi se nuk kanë pasur asnjë problem që është lajmëruar që nga fillimi i vitit shkollorë, pjesë e të cilit u bënë edhe fëmijët e rikthyer.

Në prill të këtij viti, Kosova riktheu 110 persona nga luftërat e huaja. 4 burra, 32 gra dhe 74 fëmijë ishin rikthyer ndërsa institucione të ndryshme u angazhuan për trajtimin dhe risocializimin e tyre.

Në shtator pritej që fëmijët e rikthyer pas disa aktiviteteve parashkollore të fillonin procesin e mësimit.

Nga 74 fëmijët të cilët u kthyen me familjet e tyre në Kosovë në prill të këtij viti, 10 prej tyre i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.