Sa para dyshohet që morën polici dhe doganieri që u arrestuan?

Një polic e një doganier të Kosovës janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit.

Dy zyrtarët u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet nëpër pikën kufitare të Hanit të Elezit.

Siç mëson KALLXO.com, polici dhe doganieri dyshohet se morën ryshfet në vlerë rreth 60 euro.

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një njoftimi për media bëri të ditur se mbrëmë, më 04.11.2024, Task Forca e përbashkët Doganë-Polici në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë identifikuar një rast korrupsioni ku të dyshuar ishin një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor.

“Menjëherë pas dyshimit se zyrtarët në koordinim merrnin pagesa të jashtë ligjshme u njoftua Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe njësitë relevante të Doganës të cilët në koordinim realizuan arrestimin e një zyrtari doganor dhe një zyrtari policor për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme” – tha IPK.

IPK tha se dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtëve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Ky aksion është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit doganor dhe policor të Kosovës” – njoftoi Inspektorati.

Gjithashtu u shtua se Task Forca Doganë-Polici mbetet e angazhuar në mënyrë të vendosur për të çrrënjosur çdo formë të sjelljes së paligjshme dhe për të siguruar mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.

Dogana e Kosovës dhe IPK inkurajuan qytetarët që të raportojnë çfarëdo akti të paligjshëm përmes mekanizmave të dedikuar të raportimit për të rritur më tej transparencën dhe sigurinë në shërbimet tona.

Arrestohen një polic dhe një doganier, dyshohen për marrje ryshfeti