
(Ilustrim) Foto: ZKM
Sa para do të marrin kategoritë e dala nga lufta pas rritjes së pensioneve për 20%?
Qeveria e Kosovës miratoi Vendimin për rritjen 20% të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta e fundit. Kjo rritje do të fillojë të ekzekutohet që nga muaji janar, disa më 15.01.2025 e disa më vonë.
Rritja prej 20% e pensioneve vlen për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, për invalidët dhe familjet e invalidëve të UÇK-së, për familjet e viktimave civile dhe të zhdukurve civilë të luftës dhe shtesat për përkujdesje për invalidët e luftës (UÇK dhe civilë).
Në Konferencën e mbajtur pas mbledhjes, ministri i Financave Hekuran Murati ndau detaje se sa para do të marrin këto kategori.
Murati tha se për familjet që kanë pasur një dëshmor, pensioni ka qenë 448 euro dhe do të rritet në 537 euro; për familjet që kanë dhënë dy dëshmorë, pensioni ka qenë 537 euro, derisa do të rritet në 806 euro; familjet me tre dëshmorë do të marrin 1,075 euro; familjet me katër dëshmorë kanë marrë 627 euro dhe pas rritjes do të marrin 1,344 euro, ndërsa familjet me më shumë se katër dëshmorë do të marrin 1,613 euro.
Për kategoritë e invalidëve të luftës pensioni ka qënë 448 euro, për invalidin me dëmtim trupor prej 80%, ndërsa pas rritjes do të bëhet 537 euro.
Sipas këtij Vendimi, ata që fitojnë mbi 20% janë familjet që kanë dëshmorë, të zhdukur apo viktima.
Ministri shtoi se ky Vendim u bë për shkak të rritjes ekonomike, e jo Zgjedhjeve.
“Ka qëlluar që Zgjedhjet të mbahen në muajin shkurt, po të mbaheshin në ndonjë muaj tjetër përsëri do të ishte ky cikël, për shkak se buxheti miratohet në muajin tetor të vitit të kaluar e ekzekutohet në janar të vitit pasues.” – bëri të ditur Murati.
Një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, Qeveria rrit pensionet për kategoritë e dala nga lufta