Sa mund të zgjasë rinumërimi i votave?

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i 1 mijë e 407 vendvotime.

Ky rinumërim ka nisur të mërkurën pasdite pas vendimit të Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror Zgjedhor ka dhënë detaje nga QNR-ja.

“Deri në orën 16 të ditës së premte numri i vendvotimeve të rinumëruara ka arritur në 233”, ka thënë Elezi për KALLXO.com

Tutje, ai tha se brenda një ndërrimi janë rinumëruar 62 kuti me vota.

E nëse kështu vazhdon rinumërimi atëherë i gjithë procesi mund të përfundoi brenda 12 ditëve.

Dit më parë, KQZ njoftoi se QNR ka shtuar numrin e tavolinave në të cilat bëhet rinumërimi i votave ndërsa, për këtë proces tha se janë njoftuar edhe partitë politike.

“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces. Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi”, pati thënë Elezi.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ka refuzuar.

Këto janë arsyet e Gjykatës Supreme kundër pranimit të votave nga Serbia

www.kallxo.com