Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Sa mund të dënohen 5 personat e akuzuar për dhunimin e 11-vjeçares

Prokuroria Themelore në Prishtinë, të enjten njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër 5 personave, 2 madhorë e 3 të mitur për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Veprat me të cilat Prokuroria i akuzoi personat madhorë ishte vepra “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, vepër e cila dënohet me minimumin e lejuar 10 vjetburg, sipas Kodit Penal në fuqi.

Vepër tjetër me të cilën i ngarkoi prokuroria të akuzuarit, është “Trafikimi me njerëz”, për të cilën Kodi Penal në fuqi parasheh dënim prej 5 deri 12 vjet burg.

Gjithashtu, Prokuroria të miturit e akuzuar i ngarkoi me veprën “Dhunimi”, vepër kjo e dënueshme sipas paragrafëve përkatës në aktakuzë me më së paku 15 vjet burg.

E vepra tjetër që ju vihet barrë, “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi” dënohet prej 5 deri në 15 vjet burg.

Prokuroria në Prishtinë ka njoftuar se ka përfunduar hetimet në lidhje me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në gusht të këtij viti, duke ngritur aktakuzë ndaj 5 të dyshuarve për këtë rast.

Në komunikatë thuhet se këto hetime të prokurorisë rezultuan në aktakuzë kundër 2 personave madhorë E. R. dhe Sh.K., si dhe ndaj 3 të miturve, të cilët gjenden në paraburgim.Prokuroria, të akuzuarin E. R. po e ngarkon me veprat penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit dhe Trafikimi me njerëz’.

Ky rast që tronditi opinionin e gjerë, dyshohet se ndodhi në gusht të këtij viti dhe kundër këtij fenomeni u organizuan protesta në Prishtinë e Tiranë.

Për dyshimet e dhunimit të 11-vjecares në Prishtinë janë arrestuar në raste të ndara, 12 person të dyshuar. E mitura dyshohet se është dhunuar seksualisht në gusht dhe në shtator.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast që nga fillimi dhe artikujt për këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.

Aktakuzë ndaj 5 personave që dyshohen për dhunimin seksual të 11-vjeçares