Hysen Durmishi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Sa kontrata njëburimore i ka nënshkruar Durmishi gjatë Qeverisë Kurti II?

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi, ka thënë se nuk i ka nënshkruar 42 kontrata njëburimore, ashtu siç ka pretenduar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ditë më parë.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, Durmishi tha se prej 42 aneks-kontratave që PDK i ka quajtur njëburimore, ai i ka nënshkruar 3 ose 4.

Sipas Durmishit, ligji e cakton se nënshkrimi i tij mund të vendoset vetëm në kontrata me vlerë mbi 500 mijë euro.

“Për kontrata në vlerë më të vogël, nënshkruhen nga sekretari dhe zyrtari i prokurimit. Kontratat bazë gjatë zhvillimit të punimeve sidomos në sektorin e ndërtimit, paraqiten probleme të ndryshme dhe me ligj lejohen deri në vlerën prej 10 për qind mund të bëhen aneks-kontrata për ta kompletuar projektin apo aty ku ka mangësi”, tha Durmishi.

Tutje, ai pretendoi se kur ka shkuar në zyrë më 23 mars 2021, i ka gjetur 20 aneks-kontrata, të cilat, sipas tij, i kanë pasur të përfunduara të gjitha procedurat, përveç nënshkrimit.

“Raporti i Auditorit vitin paraprak një prej të gjeturave kryesore ka qenë pse nuk janë nënshkru ato. Këto 20 aneks-kontrata i kemi nënshkru në muajin e parë dhe kanë qenë 20 projekte të bllokuara që nuk janë zhvillu punimet për disa vite. Kam bërë konsultime me departamente përkatëse dhe e kam parë që të gjitha këto janë punime të bllokuara në këto projekte, dhe këto janë kryesisht rruga për Brezovicë, Podujevë, Mitrovicë, Dollc- Gjakovë, autostrada e Gjilanit, pra në përgjithsi kanë qenë për këto projekte”, pretendoi zëvendësministri Durmishi.