Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Sa kallëzime penale i dërgoi KPMM-ja në Prokurori në vitin 2019?

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka njoftuar se gjatë vitit 2019 ka përcjellë në Prokurori 47 kallëzime penale kundër operuesve ilegal në sektorin e minierave.

Përveç kësaj, sipas KPMM-së janë përcjellë edhe 54 gjoba administrative për operime ilegale dhe 109 propozime për përmbarim.

Në të dhënat e publikuara nga KPMM, thuhet se gjatë vitit 2019 janë pranuar 53 ankesa prej të cilave 41 janë shqyrtuar ndërsa 12 janë në procedurë. 

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale është institucion i pavarur i cili në përgjegjësinë e saj ka zbatimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale, Ligjit për Siguri në Punë në Veprimtarinë Minerare si dhe Strategjinë Minerare 2012-2025 të Republikës së Kosovës dhe i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Përveç zbatimit të legjislacionit minerar, KPMM është e përkushtuar dhe në zbatimin e politikave qeveritare që ndërlidhen me sektorin e minierave, të cilat janë dokumente që krijojnë mundësi reale për zhvillimin e biznesit, shfrytëzimin racional të resurseve minerare, sigurinë dhe shëndetit në punë dhe mbrojtjen e mjedisit.