Sa jeni të varur nga telefonat e mençur?

Më shumë se një e treta e të rriturve të rinj, shfaqin simptoma të varësisë nga telefonat celularë apo smartphone, pa marrë parasysh sa kohë kalojnë në ato pajisje në ditë, raporton gazeta kombëtare britanike, inews.co.uk.

Varësia nga telefonat e mençur nuk është e njohur zyrtarisht si një diagnozë klinike, mirëpo tashmë simptomat janë identifikuar. Një studim i bërë nga King’s College London dhe i publikuar në revistën shkencore frontiersin.org zbuloi se 39 për qind e njerëzve të moshës 18 deri 30 vjeç, shfaqin simptoma të tilla si humbja e kontrollit mbi kohën e kaluar në një telefon të mençur, ankthi që i kaplon ata kur telefoni nuk është i disponueshëm për ta si dhe neglizhimi i aspekteve të tjera të jetës.

Sipas rezultateve të këtij studimi, afërsisht një e katërta, apo çereku i atyre që shfaqën shenja të varësisë përdorën një telefon të mençur për më shumë se tri orë në ditë, ndërkohë që 19 për qind prej këtij çereku e përdorin telefonin më shumë se pesë orë në ditë.

Më shumë se dy të tretat (69 për qind) gjithashtu thanë se bëjnë gjumë të keq e të parehatshëm, pa marrë parasysh sa kohë kalojnë në telefonat e tyre celularë.

“Telefonat e mençur janë bërë një pjesë integrale e jetës sonë dhe ky studim është një hap i rëndësishëm për të parë efektet e përdorimit të tyre jofunksional dhe çrregullimeve të gjumit”, deklaroi autori kryesor i këtij studimi Samantha Sohn, nga Departamenti të Psikologjisë, Psikiatrisë dhe Neuroshkencës në King’s College.

Studimi përfshiu 1,043 njerëz dhe 406 prej tyre plotësuan kriteret për një ‘diagnozë’ të varësisë nga telefonat e mençur.

Interesant del të jetë fakti se studimi zbuloi se sasia e kohës së kaluar me një telefon të mençur nuk është kryesoja për një problem varësie dhe gjumë të dobët.

“Ky studim ka vërtetuar se disa elementë të varshmërisë nga beheviorizm (sjellja) janë treguar të parashikojnë dëmin që lidhet me përdorimin e tepërt të smartphone-ve më mirë sesa vetë kohëzgjatja e përdorimit”, ka deklaruar Sohn lidhur me studimin në fjalë.

Përkthyer nga: Nuhi Shala