Ilustrim

Dosja e Fajdeve në Prizren: Si u josh djali i biznesmenit?

Një person ishte paraqitur në Polici duke pretenduar se disa persona i kishin dhënë para me fajde ndërsa kamatat ishin në shuma të ndryshme.

Një burrë me gjendje të mirë ekonomike ishte caku i pesë personave në Prizren, të cilët i kishin dhënë fajde ndërsa kërkonin kamatën dhe shlyerjen e borxhit.

Në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” u transmetuan pamje të aksionit të Policisë dhe Prokurorisë në Prizren që ndodhi muajin e kaluar.

Prokurori i rastit, Petrit Kryeziu, tregon në këtë emision se rasti ishte hetuar për gjashtë muaj ndërsa viktimës i ishte ofruar mbrojtje ligjore dhe i njëjti kishte bashkëpunuar me organet e rendit dhe drejtësisë për rastin e tij.

Ai fillimisht ishte paraqitur në stacion policor ndërsa me vetiniciativë rastin e kishte marrë për ta trajtuar prokurori Kryeziu. Gjatë gjashtë muajve hetime prokurori tregon se kishte vënë në funksion disa masa për të vërtetuar veprën penale për të cilën dyshoheshin pesë persona.

Disa nga masat ishin edhe ajo e përgjimit dhe vëzhgimit të këtij grupi i cili i kishin dhënë viktimës disa shuma të ndryshme parash e kamata kishte arritur deri në 20 mijë euro.

“Këtu po flasim për shuma të ndryshme, personi apo viktima e ka nisur me 200 euro, ka kërku 500 tjera,  300 të tjera, 2 mijë të tjera, 1 mijë e 500 të tjera e kështu me radhë. Është interesant sepse sa herë ka kërku të holla, nëse i ka kërku 2 mijë në start kryerësit e veprës i kanë ofruar 2 mijë dhe 500 në sy të tij ia kanë marrë dhe i kanë thënë që kjo ndalet për kamatën e parë mujore përderisa e kanë paralajmëruar për çdo muaj”, shpjegon prokurori Kryeziu rrjedhën e marrjes së fajdeve.

Ai shton se varësisht nga vlera e marrë ashtu do të kthente edhe kamatën te të dyshuarit.

Nga pesë personat e dyshuar sipas prokurorit Kryeziu, vetëm tre prej tyre kanë pasur lidhje shoqërore dy të tjerë nuk njiheshin mes vete.

“Kamatat kanë qenë të ndryshme për çdo muaj dhe përqindjet kanë qenë të ndryshme prej rastit në rast, prej pesë personave. Dikush ka pas 500 euro mujore dikush ka pasur varësisht prej vlerës, shumat kanë arrit pesë apo gjashtë fishin e asaj që e ka marrë viktima”, shton tutje prokurori.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, Foto: KALLXO.com

“Kamatat kanë kaluar shifrën mbi 20 mijë euro”, tregon Kryeziu.

Aksioni i muajit të kaluar në Prizren pati cak pesë persona të dyshuar të cilët merreshin me fajde.

Në këtë rast ishin përdorur edhe paratë nga fondi i fshehtë për të vërtetuar se të dyshuarit kishin pranuar kamatën nga viktima.

Tetë lokacione ishin bastisur me urdhër të prokurorit Petrit Kryeziu, ku u gjetën prova të ndryshme të cilat do të përdoren në vazhdimin e këtij rasti.

Prokurori Kryeziu përmendi faktin se veprimtaria e fajdesë është e vështirë.

“Është problem kur hyn në fajde sepse pastaj nuk mundesh me dalë, ka gjetë rrugë edhe ka gjetë persona te të cilët ka qenë i obliguar për shkak të gjendjes së rrënuar financiare të tij personale edhe është dashtë me kërku te persona të ndryshëm ku ka arritur me siguru para dhe kjo e ka bë që edhe më shumë t’i rendohet gjendja e kamatave”, shton ai.

Kryeziu tregon edhe se hetimi i fajdeve është kompleks.

“Rastet e fajdeve mund të them janë rastet më komplekse dhe më të rënda për hetime sepse faktimi i parave është bukur i zorshëm gjatë hetimeve dhe këta persona jo rrallë herë dinë të jenë shumë inteligjent dhe gjithmonë çdo veprim që e ndërmarrin e ndërmarrin duke u kujdesur sepse fusin personin e dytë, të tretin veprimet i ndërmarrin në mënyra shumë të sofistikuara, telefonat i ndërrojnë, numrat po ashtu”, vazhdon ai.

Konfiskimi i parave për fajde në Prizren, Foto: KALLXO.com