GETTY IMAGES

Sa i plotëson Kosova kërkesat e konsumit vendor me mish pule?

Njohës të fushës së veterinarisë deklarojnë se Kosova mbulon nevojat me mish pule për konsum vendor vetëm 6%, derisa pjesa tjetër, importohet nga vende tjera.

Veterineri Mentor Barani ka deklaruar se prodhimi i mishit të pulës dhe rritjes së zogjve nuk përkrahet me pagesa direkte nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ai ka potencuar se ky është sektori i vetëm që nuk përkrahet nga ana e ministrisë.

“Prodhimi i mishit të pulës apo rritja e broilerve/zogjve në Kosovë deri me tani nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) nuk është përkrah me pagesa direkte. Për fat të keq edhe këtë vit në draft udhëzimin administrativ që është në diskutim publik nuk është paraparë të përkrahet ky sektor. Për çudi është i vetmi sektor në bujqësi që nuk përkrahet nga MBPZHR”, thotë Barani.

Sipas tij, Kosova importon me miliona euro mish pule gjatë vitit pasi arrin të mbulojë vetëm 6% të konsumit vendor. Ai ka treguar se në bazë të raporteve të Doganës së Republikës së Kosovës, në vitin 2020 është importuar mish pule në vlerë prej 38.9 milionë euro, në vitin 2021 është importuar mbi 51.5 milionë euro.

“Trendi i rritjes se importit të mishit të pulës është duke u rritur çdo vit. Janar – Mars 2022 është importuar rreth 13 milionë euro, në bazë të parashikimeve importi do të arrin mbi 60 milionë euro në vitin 2022. Kosova i plotëson kërkesat për mish pule vetëm 6 %”, shton tutje njohësi i kësaj fushe.

Barani potencon se këto shifra duhet të jenë alarm për institucionet që të rishikojnë politikat zhvillimore dhe t’u jepet përparësi sektorëve me potencial të zhvillimit.

“Këto shifra enorme të importit të mishit të pulës duhet të jenë alarm për institucionet tona që t’i rishikojnë politikat zhvillimore dhe të ju jepet prioritet sektorëve me potencial të zhvillimit. Si vend kemi potencial dhe njohuri për zhvillimin  e këtij sektori por vetëm duhet qe institucionet tona të punojnë në drejtim qe të përkrahen prodhuesit vendore”, shton më tej Barani.

Ai tutje potencon se shumica e vendeve e përkrahin këtë sektor dhe se ky është momenti i fundit që të rishikohet udhëzimi administrativ për pagesa direkte.

“Shumica e vendeve e përkrahin këtë sektor me pagesa direkte. Si shembull Republika e Maqedonisë se Veriut e subvencionon këtë sektor me 0.7 euro për broiler/zog. Prandaj është momenti i fundit qe të rishikohet udhëzimi administrative për pagesa direkte dhe të merren në konsideratë rekomandimet e dhëna nga prodhuesit vendor”, thotë ai.

Albulena Maloku -Ahmeti nga zyra për informim në Ministrinë e Bujqësisë për KALLXO.com ka deklaruar se tek programi i pagesave direke, aktualisht mbështetja me subvencion bëhet për pulat vojse, ku përfitues janë ata që mbarështojnë së paku 2 mijë pula të këtij lloji.

“Mbështetja e këtij nën sektori bëhet për njësi/pula vojse dhe përfitues do të jenë fermerët që mbarështojnë së paku 2,000 pula vojse në të gjitha fazat e prodhimtarisë aktive të vezëve dhe subvencionimi për pula vojse bëhet në të gjitha fazat e prodhimtarisë aktive të vezëve sipas madhësisë së tufës”, thuhet tutje nga ministria.

Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Programit për Pagesa Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 do të ofrojë mbështetje për 27 nënsektorë të prodhimtarisë bimore dhe blegtorale.

“Në kudër të këtij programi mbështetet edhe nënsektori i shpezëtarisë. Duhet theksuar se në kuadër të nënsektorit të shpezëtarisë bëjnë pjesë një numër i konsiderueshëm i shpezëve, mirëpo aktualisht përmes PPD-së mbështeten vetëm pulat vojse”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Tutje, nga ministria potencohet se tek fermerët me madhësinë e tufës nga 2 mijë deri 10 mijë pula vojse do të përfitojnë 0.50/ euro për pulë vojse dhe fermerët me madhësi të tufës mbi 10 mijë pula vojse për 10 mijë pulat e para 0.50/ euro për pulë vojse dhe 0.40 euro për pulë vojse për çdo pulë vojse tjetër mbi këtë numër.

Sipas ministrisë, Programi i Pagesave Direkte/Subvencioneve është masë politike dinamike dhe si i tillë ky program rishikohet për çdo vit dhe vazhdimisht MBPZhR-ja i ka parasysh zhvillimet në secilin sektor dhe nënsektor.

Sipas tyre, varësisht nga zhvillimet në nënsektorë, MBPZhR-ja i harton politikat mbështetëse, të cilat i përfshin në kuadër të PPD-së, duke i vendosur kështu edhe format dhe buxhetin e përkrahjes për secilin nënsektor.

Këtu gjeni udhëzimin administrativ të MPBZhR-së për pagesat direkte 2022.