Foto: PK

Sa harxhojnë rrymë pajisjet për prodhim të kriptovalutave?

Ditë më parë, përmes një vendimi, Ministria e Ekonomisë ndaloi prodhimin e kriptovalutave në tërë territorin e vendit.

Sipas kësaj Ministrie, kostoja e shpenzimit të rrymës nga makinat që prodhojnë kriptovaluta është e madhe. Prandaj, sipas tyre, është ndaluar.

Inxhinieri Ermal Sadiku ka shpjeguar se sa mund të harxhojnë rrymë elektrike makinat që prodhojnë kriptovaluta.

“Varësisht prej makinës, është kriptovaluta që ti e bën mining (prodhon), e për me bë këtë mund të përdoren pajisje të ndryshme. Nuk është prodhim teknik, apo mihje, teknikisht nuk prodhon asgjë por i ndihmon një proces dhe shpërblehesh me kriptovaluta”, tha Sadiku në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai tha se një pajisje mund të harxhojë rrymë deri në 2.5 kilovatë.

“Energji harxhojnë varësisht prej pajisjeve, pajisjet për me prodhu, përdoren disa kartela grafike, kartela që përdorën edhe për lojëra kompjuterike. Një kartelë mund t’i shpenzojë deri në 300 deri në 500 vat. Një pajisje i ka prej 4 deri 10 kartela brenda. Kështu i bie që diku 2.5 kilovatë i harxhon një pajisje, që nuk është pak”, vlerësoi ai.

Për të ilustruar, Sadiku ka marrë një shembull.

“Një kalda për nxehjen e banesës është diku sa pesë makina të kriptovalutave. Makinat e reja harxhojnë më pak rrymë ndërsa të vjetrat më shumë.  Një makinë, më e mira në treg, mund t’i prodhojë deri në 800 euro në muaj, e cila i shpenzon 1.5 kilovat rrymë”, tha ai.

Por, me këtë nuk është pajtuar Luan Morina nga Ministria e Ekonomisë. Ai tha se vetëm nga konfiskimi i 272 makinave që prodhojnë kriptovaluta, është kursyer rrymë për rreth 500 familje.

“Ato që janë konfiskuar, secila prej tyre ka fuqinë e 1320 kilovatë. Nëse e bëjmë një kalkulim të krejt kësaj ne kemi kursyer 262 megavatë orë në muaj nga 272 pajisje që prodhojnë kriptovaluta. Nëse bëjmë një krahasim është sa do të kishin konsumuar diku 580 familje apo shtëpi, nga 5 mijë deri në 6 mijë kilovatë orë”, tha Morina.

Por, këto llogaritje i quajti të gabuara inxhinieri Ermal Sadiku.

“Nuk mund të kursehet me 272 makina rryma për 500 familje, e keni gabim llogaritjen”, deklaroi ai.