Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa gra do të emërohen në drejtoritë komunale në Pejë? – Këto janë premtimet e kandidatëve

Kandidatët për kryetar të komunës së Pejës kanë dhënë premtimet e tyre se sa drejtori do t’u besojnë grave nëse arrijnë të marrin besimin e qytetarëve.

Gazmend Agusholli nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se gjysmën e drejtorive do t’u besojë grave.

“Kur ta marrim pushtetin ju siguroj se 50% do të jenë gra”, ka premtuar Agusholli.

Ndërsa, kryetari aktual Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të emërojë 45% gra.

“Ne e kemi marrë seriozisht garën për të bërë barazi gjinore. Janë 14 drejtori e ndoshta nuk mund t’i bëjmë 50% por 45%”, ka thënë Muhaxheri.

Ndërsa Kreshnik Husaj nga Partia Demokratike e Unitetit ka thënë se 70% e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.

“Duke e ditur që femra pejane ka treguar çdo herë suksese në udhëheqësi. Në mandatin tim si kryetar do të jenë 70% e kuotës së gruas do të jetë e mjaftueshme”, ka thënë Husaj.

Kurse Rrustem Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se edhe pse do të mundohen që gjysmën e drejtorive t’u besojnë grave, gjithmonë do të kenë parasyh meritokracinë.

“Sa i përket angazhimit të grave dhe arritjes së kuotës 50/50, besojmë se kjo do të arrihet, por normalisht se do ta kemi parasysh edhe performancën dhe meritokracinë. E di që femrat e Pejës kanë rezultate kulmante”, është shprehur Berisha.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Pejës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Pejës: Gani Veselaj – kandidat i pavarur; Gazmend Agusholli nga LVV; Gazmend Muhaxheri nga LDK; Kreshnik Husaj nga PDU dhe Rrustem Berisha nga AAK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Pejës: Albulena Mujaj Bajraktaraj dhe Xhenet Syka Kelmendi nga LDK; Arlinda Selmani dhe Vera Kolgjeraj nga AAK; Arta Nallbani dhe Flutra Kasapolli nga PDK; Eleonora Bala dhe Hidajete Nikçi nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.