Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa gra do të emërohen në drejtoritë komunale? Këto janë premtimet e kandidatëve të Deçanit

Kandidatët për kryetar të Deçanit kanë premtuar se do të emërojnë gra në drejtoritë komunale.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit, nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardiana Qorraj, në Debat Pernime ka thënë ka thënë se do të emërojë 7 gra drejtoresha në drejtoritë komunale.

“Nga 11 drejtori unë do t’i kem 7 femra drejtoresha”, ka thënë Qorraj.

Kandidati nga radhët  e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Deçanit, Bashkim Ramosaj  në Debat Pernime, tha se nuk do ta rrisë numrin e grave në drejtori ndërsa vetëm dy gra do të jenë në udhëheqje të drejtorive komunale.

“I kam dy drejtoresha dhe do të vazhdoj prapë ashtu”, ka deklaruar Ramosaj.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hyri Dobrunaj në Debat Pernime ka thënë se nga 11 drejtori, 5 do të udhëhiqen nga gratë.

“Komuna e Deçanit i ka 11 drejtori. Do t’i bëj 9 drejtori dhe 5 do të jenë gra”, ka premtuar Dobrunaj.

Kandidati i pavarur Isa Elezaj ka premtuar se do të emërojë 70% gra në drejtori.

“Unë premtova 70%, shtatë drejtori do të udhëhiqen nga femrat”, ka premtuar Elezaj.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Deçanit, Orges Tafilaj, në Debat Pernime ka premtuar se do të emërojë minimum 50% të grave në drejtori.

“Minimumi pesë drejtori do të udhëhiqen nga femrat. Rajmonda Ahmetaj do ta udhëheq drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rabije Haklaj do ta ketë një drejtori, Jehona Avdullahu do ta udhëheq drejtorinë e Bujqësisë, Nurije Demaliaj do ta udhëheq drejtorinë e Shëndetësisë e emrat e tjerë do t’i shohim”, ka thënë Tafilaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Deçanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Deçanit, Ardiana Qorraj nga PDK; Bashkim Ramosaj nga AAK; Hyri Dobrunaj nga LDK; Isa Elezaj – kandidat i pavarur; Orges Tafilaj nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit: Arbnora Dervishaj dhe Diana Krasniqi nga PDK; Fatjona Kuqi dhe Fahrije Haklaj nga LDK; Floriana Hulaj dhe Lendita Berisha nga AAK; Teuta Neziraj dhe Rabije Haklaj nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.