Sekretari i ministrisë së MPHI në gjykatë | Foto: Kallxo.com | 09.10.2024
Sa është vlera e borxheve të kompanive që merren me ambalazhim të ujit të cilat dyshohet se i zvogëloi sekretari i MMPHI-së?
Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqit nën dyshimin për veprat penale – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe – armëmbajtje pa leje.
Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com, Bytyqi po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare pasi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL.
Sipas Prokurorisë, në bazë të raportit të Grupit Ministror vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendim me të cilin ua ka zvogëluar borxhet operatorëve ekonomikë.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, janë marrë me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Bytyqi dyshohet se me vendimin u është ulur borxhi kompanive që merren me ambalazhimin e ujit dhe pijeve.
Sipas Prokurorisë, Izedin Bytyqi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka tejkaluar kompetencat e tij dhe gjatë vitit 2022-2023 u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm prej 10% të pagës bazë për punët e kryera brenda orarit të punës zyrtareve B.B. dhe M.K., të cilat nën presionin e të dyshuarit tjetër, Naser Hafizi, kishin përgatitur dosjet e operatorëve ekonomikë dhe kanë hartuar vendimet e kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve dhe vazhdimin e lejeve ujore, që sipas Prokurorisë nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.
Sipas dosjes së Prokurorisë, në muajin nëntor të vitit 2021, Izedin Bytyqi kishte marrë vendim të kundërligjshëm duke emëruar komisionin për zhvillimin e procedurës administrative për akte ujore me anëtarë jashtë njësisë përgjegjëse, respektivisht kishte anashkaluar zyrtaren përgjegjëse M.M. si kompetente për vazhdimin e lejeve ujore, pasi që e njëjta kishte kundërshtuar që të bëjë vazhdimin e lejeve ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.