Foto: Policia e Kosovës

Sa është propozuar të jetë koeficienti për zyrtarin policor me Projektligjin e ri të pagave?

Në Ligjin e shfuqizuar për pagat për zyrtarët e sektorit publik, koeficienti më i ulët në Policinë e Kosovës ka qenë për kadetin policor, pozitë kjo që kishte koeficient 1.

Me propozimin e ri për ligjin e ri të pagave koeficienti për kadetin policor është rritur në 2.

Ndonëse në draftin e këtij projektligji nuk është treguar se sa është vlera monetare e një koeficienti, por për pothuajse të gjitha pozitat që përfshihen në këtë projektligj, në dallim me ligjin e kaluar janë dyfishuar koeficientet.

Sipas Ligjit për Paga që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, vlera e një koeficienti ka qenë 239 euro.

Në propozimin për ligjin e ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Deri në publikim të këtij shkrimi, MPB nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por edhe se kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Sipas draft Ligjit të ri për paga thuhet se “për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”.

Në Ligjin e kaluar për pagat vlera e koeficientit ka qenë 1 deri në 10. Për shkak të mos përcaktimit të vlerës së koeficientit, KALLXO.com ju sjell vetëm koeficientin e pozitave të ndryshme nga rekruti deri te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Ditë më parë Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri kishte thënë se nuk do të pranojnë koeficientin e njëjtë të pagave për zyrtarët policor siç kanë qenë me Ligjin e shfuqizuar.

Në propozimin e ri për ligjin e ri Zeqiri kishte kërkuar që paga bazë e një zyrtari policor të mos jetë nën 600 euro pa përfshirë kompensimet për punën jashtë orarit, ndërrimin e natës dhe rrezikshmërinë.

Në Ligjin e shfuqizuar polici i lartë ka pasur koeficientin 2.2 ndërsa me propozimin për ligjin e ri koeficienti është rritur në 4.3.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në propozimin e ri ka koeficientin 14, zëvendësdrejtori 12.6 ndërsa drejtori i departamentit 11.

Koloneli sipas propozimit të projektligjit të ri që ka siguruar KALLXO.com, do të ketë koeficientin 9.8, nënkoloneli 8.5, majori, 8, kapiteni 7, togeri 6.4, rreshteri 4.8, polici 4.2, polici i ri 4 ndërsa kadeti policor koeficientin 2.

Për dallim nga Ligji i shfuqizuar, koeficienti tani është më i lartë duke pasur parasysh edhe vlera e koeficientit është nga 1 deri në 20, deri sa për vlerën monetare të koeficientit ende nuk është bërë publike.

Ligji i pagave është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në mars. Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për, siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.